Policia gjobit shtatë drejtues të trotineteve elektrike në Prishtinë, u sekuestrohen edhe mjetet

Njësitet e Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit kanë intensifikuar kontrollet ndaj drejtuesve të trotineteve elektrike, në kuadër të një plani operativ që synon rritjen e sigurisë në trafik dhe ruajtjen e rendit publik. Sipas njoftimit të Policisë, gjatë patrullimeve dhe monitorimit të vazhdueshëm, zyrtarët policorë fillimisht kanë zhvilluar aktivitete vetëdijësuese, duke i informuar qytetarët që…

Lajme

09/07/2026 10:09

Njësitet e Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit kanë intensifikuar kontrollet ndaj drejtuesve të trotineteve elektrike, në kuadër të një plani operativ që synon rritjen e sigurisë në trafik dhe ruajtjen e rendit publik.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë patrullimeve dhe monitorimit të vazhdueshëm, zyrtarët policorë fillimisht kanë zhvilluar aktivitete vetëdijësuese, duke i informuar qytetarët që qarkullonin me trotinete elektrike dhe biçikleta se lëvizja e tyre në sheshet e kryeqytetit është e ndaluar me sinjalizim rrugor.

Megjithatë, ndaj drejtuesve që nuk kanë respektuar rregullat e trafikut janë ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Policia bën të ditur se shtatë drejtues të trotineteve elektrike janë gjobitur me nga 150 euro secili, ndërsa trotinetet e tyre janë sekuestruar.

Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet dhe aktivitetet vetëdijësuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa ndaj çdo personi që shkel dispozitat ligjore do të merren masat e parapara me ligj. /Lajmi.net/