Kurti për Eliot Engel: Në kohët më të vështira për shqiptarët, u bë zëri që nuk e kishim – Ai u bë kongresisti ynë, i tillë do të mbetet përgjithmonë

Në seancën përkujtimore të mbajtur në Kuvendin e Kosovës në nderim të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, kryeministri Albin Kurti vlerësoi rolin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetje të Kosovës, duke rikujtuar angazhimin e hershëm dhe të palëkundur për pavarësinë e saj. Në fjalimin e tij, Kurti solli në vëmendje deklaratat e forta të Engelit qysh…

Lajme

24/04/2026 11:04

Në seancën përkujtimore të mbajtur në Kuvendin e Kosovës në nderim të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, kryeministri Albin Kurti vlerësoi rolin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetje të Kosovës, duke rikujtuar angazhimin e hershëm dhe të palëkundur për pavarësinë e saj.

Në fjalimin e tij, Kurti solli në vëmendje deklaratat e forta të Engelit qysh në vitet ’90, kur ai shprehej se “Pavarësia dhe vetëvendosja është e vetmja zgjidhje afatgjate”, duke dëshmuar, sipas tij, vizionin dhe guximin për të mbrojtur të drejtën e popullit të Kosovës në momentet më të vështira, transmeton lajmi.net.

Kurti e cilësoi Engelin si një mik të madh të shqiptarëve dhe një zë të fuqishëm të drejtësisë në arenën ndërkombëtare.

Fjalimi i plotë:

“Unë besoj që zgjidhja e vetme për Kosovën është Pavarësia. Më lejoni të ju tregoj se i them Kosova, sepse 90 për qind e njerëzve që jetojnë aty i thonë Kosova, prandaj po e përdori A-në. Pavarësia dhe vetëvendosja është e vetmja zgjidhje afatgjate. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të trajtohen drejt nën Serbi dhe kjo është dëshmuar sa e sa herë, mendoj se politika jonë është mjaft e mangët sepse për aq kohë sa e shohim Millosheviqin si pjesë të zgjidhjes, pa e kuptuar se ai është problemi e jo zgjidhja me çfarë që ne dalim e që përfshinë atë është e destinuar të dështoj. Mbaron citati.”

Me këtë qëndrim të prerë dhe të guximshëm, që krahas historisë, njihte realitetin, nevojat e kohës, përfaqësonte një vizion largpamës, e kishte nisur fjalën e tij kongresisti Eliot Engel në takimin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare me 10 shkurt 1999. Në atë kohë në ShBA po diskutohej për dërgimin e forcave tokësore në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, si përgjigje ndaj krimeve të tmerrshme, spastrimit etnik, gjenocidit që Serbia po kryente ndaj shqiptarëve. Kongresisti Eliot Engel, miku dhe mbështetësi i madh i shqiptarëve në përgjithësi dhe i Kosovës në veçanti nuk hezitoi asnjëherë të ngriste zërin në mbrojtje të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejt të historisë.

Për më tepër ai avokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtët të triumfojnë. Kur erdhi në Prishtinë, me rastin e hapjes së Zyrës Informuese të ShBA-ve në qershor të vitit 1996, ai e cilësoi si ambasadën e parë të qytetarëve amerikanë në Kosovë, duke u shprehur i bindur se një ditë do të ketë Republikë të Kosovës.

Këtë e tregoi vet me 4 korrik 2019 kur e preu shiritin e ndërtesës së re e moderne të ambasadës së ShBA-ve në Kosovën e lirë dhe të pavarur. Kjo bindje është shprehur tri dekada më parë, kur Kosovës i mungonin zëra si Engel, është dëshmi që përveç rrethanave politike, ai njihte të drejtën historike të shqiptarëve të Kosovës për të pasur një shtet. Kongresisti Engel, miku i madh i kombit tonë, krah të cilit qëndruan figura të rëndësishme shqiptaro-amerikane që dhanë kontribut të pamatshëm, ishin nga zërat e hershëm në plejadën e Tom Lantos, Bob Dole, Joe Dio Guardi të gjithë këta gjithnjë të palëkundur në mbështetje të Kosovës në ditën kur drejtësia për popullin tonë kërkonte guxim dhe vendosmëri.

Ai nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke ngritur e duke avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Për më shumë se 3 dekada në Kongresin e ShBA-ve, Engel ishte një shërbyes i përkushtuar i qytetarëve amerikan dhe përfaqësues i fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe ato civile kudo në botë, e sidomos për ne. Kongresisti Engel i qëndroi besnik angazhimit për kombin tonë që kur u njoh për së afër me të. Në shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në këtë foltore, në Kuvendin e shtetit të cilit kongresisti Engel ishte i bindur se do të bëhej ai tha, po citoj ‘Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë. Dua ta shoh Kosovën në BE, dua ta shoh Kosovën në NATO dhe dua ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara’, mbaron citati. Ai donte për ne, atë që ne duam për vete. AI e donte për ne, atë që ne e deshtëm në vitet e 90-të.

Kur fliste për liri, por edhe për Pavarësinë dhe Shtetin, për Republikën e Kosovës si domosdoshmëri. Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel u bë zëri që nuk e kishim. Ai u bë kongresisti ynë, i tillë do të mbetet përgjithmonë. Interesi i sinqertë për të ardhmen e Republikës së Kosovës për të cilën punoi aq shumë ishte gjithmonë në qendër të takimeve tona që kemi pasur, duke filluar nga takimi im i parë me të me 9 dhjetor 1997 në Nju Jork. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tonë perëndimor, ku një vend të veçantë zë pikërisht Eliot Engel. Vdekja e tij është humbje e madhe për ne, kujtimi për të dhe trashëgimia e tij do të jetojnë përherë. Ngushëllimet me të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirëve të kongresmenit./lajmi.net/