Mustafa kërkon sqarim për projektligjin për Lojërat Mesdhetare, thotë se po kërkohet të anashkalohen procedurat e prokurimit publik
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me Shqyrtimin e dytë i Projektligjit nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030. Ai ka thënë se në këtë projektligj ka një anashkalim të procedurave të prokurimit publik në Kosovë për një shumë prej 254 milionë euro para të buxhetit të Kosovës. “Ju…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me Shqyrtimin e dytë i Projektligjit nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030.
Ai ka thënë se në këtë projektligj ka një anashkalim të procedurave të prokurimit publik në Kosovë për një shumë prej 254 milionë euro para të buxhetit të Kosovës.
“Ju me këtë projektligj po kërkoni që deputetët t’iu lejojnë të hiqni dorë nga procedurat që i ka përcaktu ky Kuvend me ligj për përdorimin e parasë publike, dhe t’ia besojmë një trupi që ju si Qeveri keni me kriju për ta përcaktu se si do të shpërndahen këto mjete. Mendoj se kjo është e padrejtë dhe sidomos kur e kemi parasysh që ju jeni Qeveria me numrin më të madh të kontratave njëburimore që i keni dhënë, kontrata me negocim të drejtpërdrejtë, kontrata pa tender publik dhe tani po kërkoni me i shti duart në këto fonde të dedikuara për lojërat Mesdhetare. Mendoj që deputetët e meritojnë një përgjigje nga ministri, të shohim si po e arsyetoni këtë anashkalim të procedurave të prokuriimit publik”, ka thënë Mustafa.
Ai ka përmendur edhe shqetësimin e shprehur nga zyra e BE-së, që kanë thënë se ky projektligj e rrit cenueshmërinë ndaj korrupsionit.
“Për këtë arsye nuk ish deshur të hidhet në votim të paktën pa e pas një arsyetim nga ministri se pse është i nevojshëm ky anashkalim i procedurave”, ka thënë Mustafa. /Lajmi.net/