“Seancë e përrallave”- Kërçelit të VV-së nuk i pëlqen që po diskutohet për çmimin e rrymës: Opozita po krijon “kriza imagjinare”

Deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli ka folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën urgjente për çmimin e rrymës. Ai e ka parë si të panevojshme këtë seancë të cilën e ka quajtur “seancë të përrallave”, shkruan lajmi.net. “Regjisorë të këtij shou politik, siç tha edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, janë vetë…

Lajme

21/04/2026 16:35

Deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli ka folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën urgjente për çmimin e rrymës.

Ai e ka parë si të panevojshme këtë seancë të cilën e ka quajtur “seancë të përrallave”, shkruan lajmi.net.

“Regjisorë të këtij shou politik, siç tha edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, janë vetë PDK-ja. PDK-ja, për me u reformu, kanë mbërri deri aty sa po mbajnë mbledhje të këshillit të përgjithshëm për me ftu seancë të jashtëzakonshme. Njësoj si seancat e rrymës, njësoj si ajo e KEK-ut që u privatizua me 26 milionë euro e që kjo qeveri po ju shlyen dënimin në baza ditore. Sot u dëgjuan shumë akuza këtu për lidhje të shkurtra me energji. Na keni akuzuar edhe për lidhje me NOA-n”, ka thënë Kërçeli.

Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që të trajtoj çdo pretendim të opozitës për lidhjes e NOA-s me VV-në.

“Mirëpo, kishte me qenë shumë mirë ta shikoni se kush ka nënshkruar kontratë për herë të parë me kompaninë NOA më 9 maj 2019, ndërmjet KEK-ut dhe kompanisë NOA. Ishte mirë ju vetë deputetët me hulumtu edhe me i postu në ato rrjetet e juaja sociale, qysh po postoni të pavërteta. Çka është edhe më e keqja, mirë dëgjoni: Kontrata e dytë me NOA-n është nënshkruar më 1 tetor të vitit 2021. Është nënshkruar pikërisht nga një zyrtar që e ka nënshkruar këtë kontratë, i cili ka shërbyer në ZRRE, i cili është votuar gjatë qeverisjes së LDK-së dhe është deleguar gjatë qeverisjes së LDK-së“, tha ai.

Ai ka thënë se nga viti 2008 deri në vitin 2013, 141 milionë euro kanë shkuar për Vuk Hamoviqin, ndërsa sipas tij institucionet publike gjatë qeverisjes së VV-së nuk kanë blerë dhe as nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me kompanitë e Vuk Hamoviqit.

“Është mirë deputetja në fjalë të tregojë se kush e ka nënshkruar këtë kontratë në atë kohë, si i kanë shkuar 141 milionë euro direkt Vuk Hamoviqit nga KEK-u, edhe t’i postojë në rrjetet e saj sociale. Tepricat e KEK-ut janë nënshkruar më 12 maj 2019 për t’ia shitur pikërisht prapë Vuk Hamoviqit. E këto nuk po përmenden nga deputetët e PDK-së. Shikoni paradoksin: në kohën kur KOSTT-i në mars të vitit 2017 ka vendosur me e ngarku KOSTT-in me humbje në veri, në të njëjtën kohë është nënshkruar në gusht të 2017-ës, i njëjti vit, me Vuk Hamoviqin për mbulimin pikërisht të këtyre humbjeve në veri. U përmend këtu shumë gjatë edhe kompania ITMD. U akuzua një koleg i joni deputet, i cili në këtë kompani nuk është aksionar; bëhet fjalë për një kompani krejt tjetër. Mirëpo, është mirë të na tregojë PDK-ja se familjari i cilit koleg deputet ka lidhje familjare direkte me pronarin e ITMD-së? Këtë është mirë të na tregojë PDK-ja sepse e kanë në grup parlamentar. Dhe tash, edhe seancën e kaluar unë thashë se s’ka krizë. Ka tendenca për kriza imagjinare për zhvendosje të vëmendjes nga tentim-bllokimi i institucioneve. Fushata ka nisur, të nderuar kolegë deputetë, tash e pesë muaj. Veç është një dallim: që nuk i pranoni rezultatet“, u shpreh ai.