Komisioni për Ekonomi miraton ndryshimin e amendamenteve, nuk u përkrah asnjë propozim i Janina Ymerit
Komisioni për Ekonomi shqyrtoi raportin me amendamente për projektligjin mbi masat e përkohshme për produktet bazë në raste të destabilizimit në treg. Anëtarët e komisionit ndryshuan dhe miratuan disa nga 26 amendamentet, porse u kundërshtuan të gjitha ato të propozuara nga anëtarja e LDK-së Janina Ymeri. Një nga amendamentet kryesore që u ndryshua, ishte ai…
Lajme
Komisioni për Ekonomi shqyrtoi raportin me amendamente për projektligjin mbi masat e përkohshme për produktet bazë në raste të destabilizimit në treg.
Anëtarët e komisionit ndryshuan dhe miratuan disa nga 26 amendamentet, porse u kundërshtuan të gjitha ato të propozuara nga anëtarja e LDK-së Janina Ymeri.
Një nga amendamentet kryesore që u ndryshua, ishte ai 25, që Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Administrata Tatimore e Kosovës ta mbikëqyrin këtë projektligj.
Në këtë mbledhje u ndryshua amendamenti tre, me të cilin, kryesuesja Rozeta Hajdari tha se destabiilizimi i tregut nënkupton çdo situatë, në të cilën funksionimi normal i tregut çrregullohet si rezultat i luhatjeve të theksuara në çmime.
“Te amendamenti tre ka qenë propozimi i grupit të punës ku ndryshohet “destabilizimi i tregut nënkupton çdo situatë në të cilën funksionimi normal i tregut çrregullohet si rezultat i luhatjeve të theksuara në çmime duke e karakterizuar nga asimetria e theksuar ndërmjet kostove reale të operimit dhe çmimeve finale të shitjes. Si dhe duke ndikuar negativisht në mbrojtjen e konsumatorit dhe interesin publik”, tha Hajdari.
Sipas amendamentit 25 edhe Dogana e Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës do të jenë pikë referente.
“Amendamenti 25 i nenit 18 ndryshohet. Mbikëqyrja e zbatimit të këtij projektligji bëhet nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucione të tjera përkatëse bazuar në kompetencat dhe sipas legjislacionit në fuqi. Si dogana e Kosovës, autoriteti i konkurrencës, por nuk marrin pjesë direkt në inspektim por janë pikë referente”, tha Hajdari.
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, e cila nuk votoi as për, as kundër e as abstenim për asnjë amendament, tha se arsyeja ishte se bordi nuk ka pavarësi.
“Disa prej neneve janë marrë fjali të caktuara të amendamenteve që i kam propozuar për të cilat shpreh falënderimin. Arsyeja pse nuk morra pjesë në votim edhe si qëndrim partiak por edhe nga unë, kam thënë që ky bord nuk e ka pavarësinë”, tha Ymeri.
Nga ana e Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi tha se ky është një problem që po ndodh në çdo komision.
“Është një problem që vazhdimisht po na ndodh në komisione. Anëtarët e opozitës nuk marrin pjesë në asnjë grup punuese e as në mbledhje të komisionit. Ky është një shqetësim që duhet me u ngrit edhe jo me u përdorur gjithçka edhe foltorja e Kuvendit vetëm për spektakël politik pa asnjë kontribut në përmirësimin e ligjeve”, Kelmendi.