34 të arrestuar në operacionin e madh kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në veri dhe rajone të tjera të Kosovës

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar një operacion të gjerë në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt, me qëllim luftimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjithsej 34 persona të dyshuar, ndërsa janë kontrolluar rreth 50 lokacione,…

Lajme

19/04/2026 10:45

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar një operacion të gjerë në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt, me qëllim luftimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjithsej 34 persona të dyshuar, ndërsa janë kontrolluar rreth 50 lokacione, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova materiale të rëndësishme, përfshirë rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri, si dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për veprimtari të kundërligjshme, shkruan lajmi.net.

Me vendim të prokurorit kompetent, 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Në kuadër të këtij aksioni janë përfshirë edhe hetimet rajonale dhe stacionet policore, përfshirë Skenderajn, ku janë kontrolluar 15 lokacione, janë arrestuar 8 persona dhe 4 prej tyre janë dërguar në mbajtje.

Policia dhe Prokuroria kanë vlerësuar se ky operacion përfaqëson një angazhim të fuqishëm institucional në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik dhe aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Institucionet e rendit kanë theksuar përkushtimin për vazhdimin e luftës kundër çdo forme të kriminalitetit, duke ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë rastet e dyshimta përmes kanaleve zyrtare. /Lajmi.net/