Situata politike, Harry Bajraktari: Po e dëmtoni imazhin e Kosovës në botë – Uluni, bisedoni dhe gjeni zgjidhje

Aktivisti dhe përfaqësuesi i komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në Kosovë, duke vlerësuar se përçarjet dhe bllokadat po dëmtojnë seriozisht imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Në një reagim publik, Bajraktari theksoi se dallimet politike janë normale në demokraci, por sipas tij, situata aktuale në Kosovë ka tejkaluar kufijtë, duke…

Lajme

16/04/2026 09:31

Aktivisti dhe përfaqësuesi i komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në Kosovë, duke vlerësuar se përçarjet dhe bllokadat po dëmtojnë seriozisht imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Në një reagim publik, Bajraktari theksoi se dallimet politike janë normale në demokraci, por sipas tij, situata aktuale në Kosovë ka tejkaluar kufijtë, duke penguar funksionimin institucional dhe duke krijuar perceptim negativ jashtë vendit.

Ai solli shembuj nga politika amerikane, duke përmendur bashkëpunimin mes JD Vance dhe Donald Trump, si dhe rastin e Barack Obama me Hillary Clinton, të cilët, sipas tij, kanë lënë mënjanë rivalitetet për interesin shtetëror.

Po ashtu, ai rikujtoi bashkëpunimin ndërpartiak në SHBA për çështjen e Kosovës në vitet ’90, duke përmendur rolin e Bill Clinton dhe Bob Dole, që sipas tij kontribuuan në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Duke iu referuar edhe historisë shqiptare, Bajraktari përmendi raportet mes Ahmet Zogu dhe Faik Konica, të cilët pavarësisht dallimeve, bashkëpunuan kur ishte në pyetje interesi i shtetit.

Ai ngriti shqetësimin se situata politike në Kosovë po kritikohet edhe nga miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht në Washington. Bajraktari zbuloi se së fundmi kishte diskutuar për këtë çështje edhe me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, i cili, sipas tij, ishte interesuar për zhvillimet dhe zgjidhjen e krizës politike në Kosovë.

TË ZGJEDHURIT E POPULLIT PO E DËMTOJNË SERIOZISHT IMAZHIN E KOSOVËS NË BOTË

Në demokraci, dallimet në pikëpamje janë normale. Por bllokada dhe përçarjet politike në Kosovë po e tejkalojnë çdo kufi.

Historia na mëson një të vërtetë të thjeshtë: edhe kundërshtarët më të ashpër, kur është në pyetje interesi kombëtar, gjejnë mënyra për të punuar së bashku.

Shembullin e fundit e kemi në Shtetet e Bashkuara. Nënpresidenti amerikan JD Vance ka pasur në të kaluarën kritika të forta ndaj Presidentit Donald Trump. Por sot, ata kanë lënë dallimet anash dhe punojnë së bashku në një administratë, për të mirën e vendit.

Ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2008, kur Presidenti Barack Obama dhe Hillary Clinton, pas një gare të ashpër mes tyre, bashkuan forcat në interes të shtetit.

E njëjta frymë mbizotëroi edhe në vitet ’90. Presidenti Bill Clinton dhe Senatori Bob Dole, nga dy parti rivale, bashkuan forcat për çështjen e Kosovës. Falë këtij bashkëpunimi, Kosova sot është e lirë dhe e pavarur.

Edhe historia jonë kombëtare jep të njëjtin mësim. Marrëdhënia e tensionuar mes Mbretit Zog dhe Faik Konicës nuk i pengoi ata që, kur e kërkoi interesi i shtetit, të bashkëpunojnë.

Udhëheqësit e vërtetë dëshmohen në kohë krizash. Pyetja është: a ka Kosova udhëheqës që janë të gatshëm të tejkalojnë interesat personale apo partiake dhe të vendosin shtetin në radhë të parë?

Të gjithë përfaqësuesit politikë, pa përjashtim, kanë shkëmbyer akuza të rënda. Por sot, për hir të vendit dhe interesit kombëtar, duhet të dalin përtej tyre dhe të bashkëpunojnë.

🇺🇸🇽🇰 Nuk mund ta imagjinoni sa keq shihet Kosova nga jashtë me këtë bllokadë të tejzgjatur. U bë kohë që miqtë tanë në Washington, në çdo bisedë që kemi, na qortojnë duke na thënë se, nëse Kosova, një vend i vogël, nuk po arrin të gjejë marrëveshje brenda vetes, çfarë prisni nga ne?

Rastin e fundit e kisha në takimin me Presidentin Bill Clinton, i cili më pyeti për situatën në Kosovë dhe nëse është zgjidhur kriza politike. Është e vështirë për ne ta shpjegojmë këtë situatë. I kemi duart e lidhura.

Ne duhet t’i tregojmë botës se jemi të aftë ta udhëheqim vendin tonë. Kjo situatë shkon në favor të Serbisë dhe të gjithë atyre që nuk e duan përparimin e Kosovës.

Çdo orë e humbur e dëmton ekonominë, sigurinë dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe integrimit euro-atlantik.

Prandaj, u bëj thirrje të gjithë liderëve politikë:

Uluni.

Bisedoni.

Gjeni zgjidhje.

Bëjeni për Kosovën. Historia i kujton ata që ofrojnë zgjidhje, që e zhvillojnë vendin — jo ata që e bllokojnë  🇦🇱🇽🇰

Mos harroni ku ishim dhe ku mund të jemi, nëse punojmë së bashku.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar