Busulla e fundit nga Agim Ramadani – rrëfimi që prek zemrat pas 27 vitesh nga Kosharja
Në 27 vjetorin e betejës që do të hynte në histori, në Koshare, ish-komandanti i Batalionit Njësia Topi, Feriz Trezhnjeva ruan ende të freskët kujtimin e takimit të fundit me heroin Agim Ramadani. Me emocionet edhe pas kaq vitesh, ai rrëfen për KosovaPress momentin kur komandant Katana i dhuroi një busull topografike, si një medalje…
Lajme
Në 27 vjetorin e betejës që do të hynte në histori, në Koshare, ish-komandanti i Batalionit Njësia Topi, Feriz Trezhnjeva ruan ende të freskët kujtimin e takimit të fundit me heroin Agim Ramadani.
Me emocionet edhe pas kaq vitesh, ai rrëfen për KosovaPress momentin kur komandant Katana i dhuroi një busull topografike, si një medalje nderi dhe mirënjohjeje.
27 vite pas, tash duke folur nga kompleksi memorial në Koshare ku prehen 114 dëshmorët e kësaj beteje, ish-komandanti i batalionit kundër-blindues vlerëson se Beteja e Koshares mbetet një nga më të lavdishmet në historinë e shqiptarëve.
Sipas tij, ajo ishte një operacion i mirëfilltë ushtarak, i planifikuar dhe udhëhequr nga profesionistë të të gjitha fushave, nga këmbësoria e artileria, deri te logjistika dhe mjekësia.
“Beteja e Koshares është një ndër betejat më të lavdishme në historinë e shqiptarëve të Kosovës dhe mund ta krahasojmë si një ndër betejat më të lavdishme të shekullit të ri. Vetë Beteja e Koshares, nga rëndësia e saj dhe pesha e saj historike, ishte një betejë e cila organizohej, u planifikua, u organizua dhe u udhëhoq nga profesionistë ushtarakë, profesionistë të të gjitha fushave të artit ushtarak: këmbësorisë, artilerisë, këmbësorisë, mjekësisë, logjistikës, kundërajrorë. Pra të gjithë këto gjendjes, pra të gjithë këto, ishte një staf komandues profesional, të cilët u stërvitën, u trajnuan, planifikuan dhe udhëheqin këtë betejë deri në fitoren e saj”, tha ai.
Duke kujtuar rolin e tij si komandant i njësisë me topa 75 dhe 82 mm, veterani shpjegon motivimin për t’iu bashkuar luftës, edhe pse vinte nga Shqipëria.
“Kur filloi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe konkretisht masakra që ndodhi në Kosovë, beteja e ngjarjet në Prekaz, ne na motivuan vërtet që edhe neve të japim një kontribut tonin sado modest për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për lirinë e Kosovës.
Kështu që unë u paraqita në repartin ushtarak ku ishte komandant i kësaj, reparti ishte zoti Rrustem Berisha, shef shtabi ishte… Agim Ramadani Ishin shumë oficerë, të gjitha, nga të gjitha trevat shqiptare, nga Mali i Zi, nga Kosova, kishte shumë luftëtarë nga të gjitha trevat dhe unë u paraqita aty me vetë dëshirën time, ku së bashku me komandantin e brigadës, zotin Rrustem Berisha, me heroin Agim Ramadani, shef shtabi që ishte, Anton Çuni, Skender Hasangjekaj nga Mali i Zi e të tjerë, unë paraqita dëshirën time që t’i bashkëngjitem Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi ai.
Trezhnjeva kujton se si ardhja e tij në Kosovë për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së u prit me gëzim të jashtëzakonshëm nga komandantët e Brigadës 138, veçanërisht nga Agim Ramadani.
“Agimi u gëzua jashtëzakonisht shumë dhe kur unë e mora vendim që unë t’ju bashkëngjitëm dhe të jem në strukturën e kësaj brigade, njësie, ne filluam fill përgatitjet dhe ai mezi priti që unë t’i bashkëngjitëm dhe të jem në formacionet luftarake të kësaj njësie. Ai e priti aq shumë sa tha që ka ardhur koha që ne të gjithë të jemi bashkë, që ne të japim një kontribut për vendin tonë, për Kosovën tonë”, shprehet ish-komandanti Trezhnjeva.
Momenti më dramatik dhe më prekës i rrëfimit të tij lidhet me natën e 8 prillit 1999, pak para fillimit të sulmit për thyerjen e kufirit. Pasi morën urdhrin përfundimtar luftarak, komandantët u përshëndetën me njëri-tjetrin, të vetëdijshëm për rrezikun që i priste.
E po këtë natë, komandanti i Brigadës 138, Agim Ramadani, Trezhnjeva e kishte nderuar me një dhuratë në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në luftën e Kosovës.
“Morëm detyrat dhe përgjegjësitë, për arsye se ne kishim përgatitur planin operativ, se secila komandë njësie si do të zhvillojë operacionin e vet luftarak, ku do të godasë objektivat, sa do të depërtojë, pra i kishim bërë në planin operativ të gjitha. Po aty morëm urdhrin luftarak përfundimtar. Më kujtohet, ishte një rast shumë dramatik kur u përshëndetëm të gjithë që ne të lëvizim me njësitë tona nëpër hapësirat e territorit të Koshares…. Pasi desha me dalë prej jashtë, më drejtoi: “Komandant Trezhnjeva” dhe unë u drejtova.
Tha ‘Unë për ty kam një dhuratë’ dhe e mori atë busull topografike dhe ma vendosi si një medalje në qafë, të cilën nuk e harroj kurrë, dhe m’u shpreh në këtë mënyrë: “Për kontributin dhe ndihmën që po na jep, këtë e ke dhuratë nga unë. Nuk e di se kur do të shihemi.” Kjo ishte fjala e fundit e Agim Ramadanit. Dhe mua më ranë lotët, kuptohet, ishin emocione dhe u përqafuam edhe një herë. Atëherë kemi komunikuar me datën 9 prill gjashtë herë me Agimin me radiolidhje, për sa i përket koordinimit të zjarrit, për sa i përket veprimeve luftarake, në mënyrë që të gjithë neve të jemi të koordinuar për sulmin e Betejës së Kosharës”, shprehet ai.
E 27 vite pas ish-komandanti i Batalionit Njësia Topi, Feriz Trezhnjeva thotë se rënia e komandant Katanës më 11 prill 1999 ishte një goditje e rëndë, por nuk e kishte thyer moralin e ushtarëve.
“Rënia e Agimit, edhe e Saliut, e shumë dëshmorëve, ne na goditi shumë rëndë. Por ne ishim të përgatitur. Lufta kuptohet që ka gjak dhe ka sakrificë. Dhe vetë Agimi me atë trajnimin dhe me ato motivet që i jepte luftëtarëve, të cilët ishin lidhur shumë, na kishte futur si një embrion në qenien tonë që lufta duhet të vazhdojë pavarësisht se si do të rrjedhin ngjarjet dhe neve nuk duhet që të tërhiqemi në asnjë mënyrë.
Dhe ne kemi bërë një betim që aty ku u derdh gjaku i Agim Ramadanit, i Sali Çekut dhe i gjithë dëshmorëve të Koshares, kurrë këmba e armikut mos me shkelë dhe asnjëherë nuk ka mundur me shkelë në këtë territor, pavarësisht arsenalit të armatimit, brigadave që ka vepruar, helmeve, sistemeve raketore, artilerisë së rëndë, njësive të Arkanit, njësive speciale që ka vepruar drejt Koshares, kurrë s’ka mundur me e kthyer kufinin ose me shkelë aty ku u derdh gjaku i dëshmorëve të Kosovës”, deklaroi ai.
Beteja e Koshares është beteja më heroike e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi luftëtarët arritën ta thyejnë kufirin Kosovë-Shqipëri i cili ishte vendosur njëqind vjeç më parë. Kjo betejë që nisi më 9 prill 1999 përfundoi më 10 qershor 1999. Në altarin e lirisë ranë dëshmorë 114 luftëtarë ndër ta edhe komandanti i Brigadës 138, Agim Ramadani, ndërsa mbetën të plagosur 380 ushtarë të tjerë. /KP/
