Oda Amerikane në Kosovë: Qeverisja e dobët ekonomike, e kombinuar me pasigurinë politike, dobëson besimin e investitorëve – shqetësuese mungesa e konsideratës për të rishikuar regjimin fiskal për karburantet
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen aktuale të qeverisjes ekonomike dhe situatën politike në vend, duke paralajmëruar për pasoja serioze nëse nuk ndërmerren reforma të menjëhershme. Në një deklaratë publike, Oda thekson se brishtësia institucionale dhe kriza e zgjatur politike kanë penguar përparimin e reformave, duke rrezikuar që edhe…
Lajme
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen aktuale të qeverisjes ekonomike dhe situatën politike në vend, duke paralajmëruar për pasoja serioze nëse nuk ndërmerren reforma të menjëhershme.
Në një deklaratë publike, Oda thekson se brishtësia institucionale dhe kriza e zgjatur politike kanë penguar përparimin e reformave, duke rrezikuar që edhe viti 2026 të karakterizohet me stagnim. Sipas saj, vonesat në vendimmarrje nuk janë vetëm çështje procedurale, por kanë kosto të drejtpërdrejtë ekonomike për vendin, transmeton lajmi.net.
Organizata vlerëson se qeverisja e dobët ekonomike dhe pasiguria politike po dëmtojnë besimin e investitorëve, duke ngadalësuar transformimin ekonomik dhe duke rritur presionin mbi bizneset. Në këtë kontekst, kërkohet shmangia e ngërçit institucional dhe rritja e efikasitetit në vendimmarrje.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mungesën e rishikimit të politikave fiskale për karburantet, sidomos në kushtet e zhvillimeve globale dhe rritjes së çmimeve të energjisë. Sipas Odës, mosndërmarrja e masave lehtësuese, siç kanë bërë disa vende evropiane, mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e bizneseve dhe të rrisë barrën për konsumatorët.
Duke iu referuar edhe gjetjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në deklaratë thuhet se pasiguria politike ka ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike në 3.6% gjatë vitit 2025, si dhe në rritjen e inflacionit dhe dobësimin e pozitës së jashtme të vendit.
Në përfundim, Oda Amerikane nënvizon se funksionimi i qëndrueshëm institucional, përshpejtimi i reformave dhe forcimi i dialogut ndërmjet sektorit publik dhe atij privat janë thelbësore për të përballuar sfidat ekonomike dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë.
Qeverisja e dobët ekonomike, e kombinuar me pasigurinë politike, minon momentumin e reformave, vonon transformimin strukturor dhe dobëson besimin e investitorëve. Kosova nuk mund të përballojë vazhdimin e një ngërçi institucional, derisa përballet me sfida të brendshme e me pasoja nga ndikimet e jashtme.
Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me mungesën e konsideratës nga ana e Qeverisë për të rishikuar regjimin fiskal për karburantet, veçanërisht në dritën e krizës aktuale në Lindjen e Mesme dhe ndikimit të saj në furnizimin dhe çmimet globale të energjisë. Në disa shtete anëtare dhe joanëtare të Bashkimit Evropian, qeveritë kanë ndërmarrë masa për të zbutur efektet e goditjeve të jashtme. Mungesa e rishikimeve të ngjashme të politikave në Kosovë rrezikon të rrisë presionin e kostove mbi bizneset, të dëmtojë aftësinë konkurruese, si dhe të rris barrën e konsumatorëve.
Derisa këto shqetësime pasqyrojnë ekspozimin e drejtpërdrejtë të sektorit privat ndaj presioneve ekonomike, raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën thekson se pasiguria politike tashmë ka ngadalësuar rritjen në 3.6 për qind në vitin 2025, ka rritur inflacionin dhe ka dobësuar pozicionin e jashtëm të Kosovës për shkak të rritjes së importeve të energjisë dhe ushqimit, ndërkohë që rreziqet mbeten të orientuara kah përkeqësimi në një kontekst paqëndrueshmërie dhe lëvizje të vazhdueshme të çmimeve në nivel global. FMN thekson po ashtu se bllokada njëvjeçare politike ka vonuar reformat thelbësore dhe ka penguar progresin drejt përafrimit me BE-në.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se funksionaliteti institucional dhe parashikueshmëria e politikave janë thelbësore për adresimin e këtyre sfidave. Ruajtja e stabilitetit makroekonomik duhet të jetë e bashkërenduar me përshpejtimin e reformave strukturore, përmirësimin e konkurrueshmërisë, duke siguruar që reagimet institucionale të bëhen në kohë dhe të jenë në proporcion me sfidat aktuale.
Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se forcimi i dialogut të strukturuar publiko–privat është thelbësor për qeverisje të efektshme ekonomike, duke mundësuar zhvillim gjithëpërfshirës të politikave, parashikueshmëri më të madhe për bizneset dhe një përgjigje të koordinuar ndaj sfidave urgjente ekonomike të vendit./lajmi.net/