Zgjedhje apo zgjidhje – Çka mund të sjellin takimet Kurti-Abdixhiku?

Në objektin e Kuvendit të Kosovës, sot është mbajtur takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Ky takim nuk është i pari mes tyre për çështjen e Presidentit, por është hapi i parë i ndërmarrë nga kryeministri Kurti pas afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për këtë…

Lajme

06/04/2026 16:02

Në objektin e Kuvendit të Kosovës, sot është mbajtur takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

Ky takim nuk është i pari mes tyre për çështjen e Presidentit, por është hapi i parë i ndërmarrë nga kryeministri Kurti pas afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje shumë të rëndësishme.

Pas takimit, para mediave kanë folur të dy e të dy janë shprehur se janë kundër zgjedhjeve, nuk i duan ato por që mes rreshtave thanë që nuk ka zgjidhje që nuk e qon vendin në zgjedhje.

Lumir Abdixhiku ka thënë sot se në këtë takim që kanë zhvilluar, kanë diskutuar për afatin kohor që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese për të zgjedhur Presidentin, që ka thënë se kërkon një koncensus dhe një marrëveshje eventuale përndryshe vendi shkon në zgjedhje.

Ai ka thënë se zgjedhjet nuk i don askush, e as LDK, shkruan lajmi.net.

“Nuk kemi ndonjë lëvizje të re, ndonjë rrethanë të re nga ky takim i sotëm. Jemi transparent me ju dhe njëri tjetrin, takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Unë do të takoj natyrisht edhe liderët tjerë politikë, të PDK-së dhe AAK-së për të kuptuar edhe pozicionet e tyre mbi këtë rrethanë dhe më pas në këtë drejtim do të provojmë që nëpërmjet takimeve të reja transparente besa edhe konfidenciale të gjejmë një zgjidhje për këtë situatë”, ka thënë Abdixhiku para mediave.

Ai ka thënë se çdo marrëveshje që siguron kuorumin e domosdoshëm për Presidentin e ardhshëm të Kosovës është e mirëseardhur, dhe ka thënë se për këtë duhen takime me të gjitha partitë politike.

Për një emër të mundshëm, Abdixhiku ka thënë se nuk kanë diskutuar emër konkret.

“LDK vazhdon të besoj që 3 pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Po provojmë të gjejmë zgjidhje, besoj që duhet të dëgjoni edhe palën tjetër. Po provojmë të gjejmë zgjidhje me takime, do të ndjekim këtë rrugë që të shmangim zgjedhjet.  Njëherë duhet të mirremi rreth parimeve të procesit, a duhet të kemi një situatë të gjitha pozicionet institucionale që i takojnë një partie, e më pas nëse jo si do të duket kjo marrëveshje”, ka thënë ai.

Ai është pyetur nëse kanë biseduar për pozicionet të cilat mund t’i marrin LDK nëse ka një marrëveshje mes tyre, por ka thënë se nuk kanë një situatë të caktuar për të.

“Po përpiqemi për zgjedhje, nëse nuk ka takime kuptoni që zgjedhjet janë të pashmangshme. Edhe mosveprimi për zgjedhje shkakton zgjedhje në mënyrë automatike.  Bëmë përpjekje të gjejmë zgjidhje, diskutuam për natyrën e kësaj zgjidhje. si duket nuk kemi arritur në emra konkret, në rpoces janë dy emra kandidatë të VV-së dhe ne kemi qëndrimin që jo të gjitha pozitat i takojnë një partie”, ka thënë Abdixhiku.

E në lidhje me këtë takim, para mediave ka folur edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti.

Kurti deklaroi se ende nuk ka ndonjë marrëveshje, por se është pozitiv për ditët në vijim.

Ai tha se me  Lumir Abdixhikun ishin në takim afër dy orësh dhe me këtë rast kanë diskutuar për situatën e re politike pas aktgjykimit të Kushtetueses.

“Natyrisht që çështja kryesore që u diskutua dhe jo e vetmja, është pikërisht fakti që na kanë ngelur edhe tri javë për zgjedhjen e presidentit e duhet t’i maksimizojë përpjekjet. Takimi shkoj në një atmosferë dashamirëse dhe jemi të përcaktuar t’i shmangim zgjedhjet e reja sepse zgjedhjet e reja s’do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Është vështirë të paramendojmë një fushatë zgjedhore kur risjellim platformat e programet tona me po të njëjtat zotime e kërkojmë votën e të njëjtëve qytetarë për rezultat që e dimë se s’mund të jetë shumë ndryshe.Ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 për formimin e Qeverisë, por është sfidë tejet gjigante që një parti t’i ketë 80 deputetë  të mund të zgjedhë presidentin”, deklaroi ai.

Kurti ripërsëriti se fillimisht propozuan Glauk Konjufcën e më pas edhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun, por se nuk pati rezultat.

“Ne kemi bërë përzgjedhje të detyruara përbrenda subjektit ndërkohë kur nuk nxirrte askush propozim për kandidat dhe ndodhemi tani ku ndodhemi unë vazhdoj të jem optimist se me takime të tilla do të mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë s’mund të them se e kemi sot por atmosferë konstruktive dhe dashamirësia për mos-zgjedhje të reja që s’janë zgjidhje më bën optimist për këto 3 javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në orën e fundit. Tash ne jemi udhëheqës të subjekteve që janë demokratike dhe jemi transparentë sa i përket takimit, por takimin duhet ta ruajmë konfidencialitetin e takimeve në momentin kur iniciativat sjellin rezultat konkret atëherë mund të përgjigjemi por derisa ky nuk është rasti nuk mund të flasim për mendime që i themi aty, e të cilat as nuk kanë sjellur dështim por as sukses. Përderisa jemi në këtë fazë gjithmonë do t’u njoftojmë për takimet që bëjmë por s’mund të flasim për emra konkret që s’kanë rezultuar me një marrëveshje politike në mes VV dhe LDK-së”, shtoi ai.

Ai tha se vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë që nese kanë një emër të përveqëm dhe synojnë të jenë 80 apo 81 vota në sallë në këtë legjislaturë, kjo sipas tij do të ishte rrezik i madh.

“Vetëm një shumicë prej 84-85 do të na bënte komod për emrat e përveshëm për 80 deputetë që qëndrojnë në sallë e votojnë. Akoma besoj se numri 80-81 nuk është caku për të ecur përpara. Edhe më herët kam thënë se duhet të synojmë deri në ditën e fundit që t’i kemi”, ka thënë Kurti duke thënë mes rreshtave që as një marrëveshje VV-LDK nuk ofron zgjidhje.

Kurti sot ka folur edhe për mundësinë e një marrëveshje me partinë e dytë më të madhe në vend, PDK-në.

Ai tha se do të përpiqet që të takohet edhe me kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën.

“Presidenti nuk do të jetë vetëm i një parti, por as i dy partive- presidenti është shprehje e unitetit të popullit”, ka thënë Kurti.

Ai është pyetur nga gazetarët nëse do t’ia ofronte pozitën e Presidentit PDK-së.

“PDK asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara nesh, ajo vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër absolute që dy kandidatët të jenë të PDK-së e të verbër që të mos na tregojnë emrin paraprakisht”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se kjo e bënë të pamundur marrëveshjen mes këtyre dy partive.

“Uroj që në komunikimet e takimet në vijim me kryetarin e PDK-së kjo të ndryshojë sepse s’mund të ketë marrëveshje politike për presidentin e ardhshëm përderisa nuk e thua asnjë emër”, ka thënë ai.

Çështja e Presidentit është një sfidë e madhe për Kosovën. Mandati i Presidentes Vjosa Osmani ka përfunduar me 4 prill 2026. Më 4 mars 2026, 30 ditë para s eky mandat të përfundonte, në Kuvendin e Kosovës janë vënë në votim për President dy emra, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

Asnjëri prej tyre nuk arriti t’i mbledh 81 deputetë që të qëndrojnë në sallë e aq më pak 81 vota. Pas këtij dështimi për të zgjedhur Presidentin e ardhshëm, Vjosa Osmani tashmë ish-Presidente, ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Këtë dekret, VV e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, e cila e ka vlerësuar si antikushtetues. Kjo Gjykatë i ka caktuar Kuvendit që të zgjedh Presidentin e radhës brenda 34 ditëve, ndërkaq afati po rrjedh dhe tani kanë mbetur vetëm edhe 22 ditë për ta kryer këtë obligim kushtetues.

Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda këtyre 22 ditëve, vendi përsëri shkon në zgjedhje të lira, e kjo nuk po pëlqehet as nga pozita as nga opozita.

Detyrën e Presidentes tani po e ushtron U.D Albulena Haxhiu, e cila është zgjedhur muaj më parë kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo ka të drejtë që maksimalisht këtë detyrë ta ushtroj për 6 muaj.

Vendi tani është përpara një sfide ndërsa zgjidhja nuk dihet ende se si do të bëhet. /Lajmi.net/