“S’jemi për zgjedhje të reja, por tani s’ka asnjë zgjidhje”- Abdixhiku thotë se takimet do vazhdojnë, tani për tani s’ka emër të ri
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dal nga takimi që ka zhvilluar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për çështjen e Presidentit. Ai ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për afatin kohor që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese për të zgjedhur Presidentin, që ka thënë se diskutuan edhe për një koncensus dhe…
Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dal nga takimi që ka zhvilluar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për çështjen e Presidentit.
Ai ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për afatin kohor që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese për të zgjedhur Presidentin, që ka thënë se diskutuan edhe për një koncensus dhe një marrëveshje eventuale përndryshe vendi shkon në zgjedhje.
Ai ka thënë se zgjedhjet nuk i don askush, e as LDK, shkruan lajmi.net.
“Nuk kemi ndonjë lëvizje të re, ndonjë rrethanë të re nga ky takim i sotëm. Jemi transparent me ju dhe njëri tjetrin, takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Unë do të takoj natyrisht edhe liderët tjerë politikë, të PDK-së dhe AAK-së për të kuptuar edhe pozicionet e tyre mbi këtë rrethanë dhe më pas në këtë drejtim do të provojmë që nëpërmjet takimeve të reja transparente besa edhe konfidenciale të gjejmë një zgjidhje për këtë situatë”, ka thënë Abdixhiku para mediave.
Ai ka thënë se çdo marrëveshje që siguron kuorumin e domosdoshëm për Presidentin e ardhshëm të Kosovës është e mirëseardhur, dhe ka thënë se për këtë duhen takime me të gjitha partitë politike.
Për një emër të mundshëm, Abdixhiku ka thënë se nuk kanë diskutuar emër konkret.
“LDK vazhdon të besoj që 3 pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Po provojmë të gjejmë zgjidhje, besoj që duhet të dëgjoni edhe palën tjetër. Po provojmë të gjejmë zgjidhje me takime, do të ndjekim këtë rrugë që të shmangim zgjedhjet. Njëherë duhet të mirremi rreth parimeve të procesit, a duhet të kemi një situatë të gjitha pozicionet institucionale që i takojnë një partie, e më pas nëse jo si do të duket kjo marrëveshje”, ka thënë ai.
Ai është pyetur nëse kanë biseduar për pozicionet të cilat mund t’i marrin LDK nëse ka një marrëveshje mes tyre, por ka thënë se nuk kanë një situatë të caktuar për të.
“Po përpiqemi për zgjedhje, nëse nuk ka takime kuptoni që zgjedhjet janë të pashmangshme. Edhe mosveprimi për zgjedhje shkakton zgjedhje në mënyrë automatike. Bëmë përpjekje të gjejmë zgjidhje, diskutuam për natyrën e kësaj zgjidhje. si duket nuk kemi arritur në emra konkret, në rpoces janë dy emra kandidatë të VV-së dhe ne kemi qëndrimin që jo të gjitha pozitat i takojnë një partie”, ka thënë Abdixhiku. /Lajmi.net/