Walker: Deklarata e ministres serbe tregon që ajo është një kriminele e sinqertë lufte

Deklarata e ministres serbe Snezana Paunović, se nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit do të kishte nisur “spastrimin etnik në Kosovë në vitin 1998”, ka nxitur reagime të forta. Ish-diplomati amerikan William Walker, i cili në vitin 1999 dokumentoi Masakrën e Reçakut dhe dëshmoi pasojat e krimeve në Kosovë, e ka…

Lajme

15/07/2026 18:51

Deklarata e ministres serbe Snezana Paunović, se nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit do të kishte nisur “spastrimin etnik në Kosovë në vitin 1998”, ka nxitur reagime të forta.

Ish-diplomati amerikan William Walker, i cili në vitin 1999 dokumentoi Masakrën e Reçakut dhe dëshmoi pasojat e krimeve në Kosovë, e ka cilësuar deklaratën si tronditëse.

Në një prononcim për Gazetën Express, Walker ka thënë se një deklaratë e tillë është ndër më ekstremet që ka dëgjuar ndër vite.

“O Zot, ku e ka thënë ajo këtë deklaratë. Mendoj që është ndoshta një prej deklaratave më fashiste që kam dëgjuar prej vitesh, jo vetëm budallallëk”, ka deklaruar Walker.

Ai ka thënë se një deklaratë e tillë ngre pikëpyetje serioze për qëndrimet dhe përgjegjësinë e autores së saj.

“Të thuash që Millosheviqi nuk e nisi gjenocidin më herët, thjesht s’mund ta besojë që dikush mund ta thotë një budallallëk të tillë. Nëse vërtet e ka thënë një deklaratë të tillë, mendoj se dikush duhet të shikojë për racionalitetin e saj dhe për kualitetin e njerëzisë së saj”, ka shtuar ai.

Walker ka theksuar se spastrimi etnik është krim lufte dhe se një deklaratë që shpreh gatishmëri për kryerjen e një krimi të tillë është jashtëzakonisht shqetësuese.

“Spastrimi etnik është një krim lufte. Nëse ajo thotë se do të kryente një krim lufte përpara Millosheviqit, që ishte një nga kriminelët më të mëdhenj të Evropës në atë kohë, atëherë çfarë të themi për të”, ka thënë Walker.