ATK paralajmëron qytetarët: Kush merret me kriptovaltua dhe fiton nga to, duhet të paguajë tatim
Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se e ka rritur fokusin e saj në identifikimin dhe trajtimin e personave që realizojnë të ardhura nga kriptovalutat. Kështu, ATK ka kërkuar që këto të ardhura të deklarohen dhe tatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sipas njoftimit të kësaj administrate, mënyra e tatimit…
Lajme
Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se e ka rritur fokusin e saj në identifikimin dhe trajtimin e personave që realizojnë të ardhura nga kriptovalutat.
Kështu, ATK ka kërkuar që këto të ardhura të deklarohen dhe tatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas njoftimit të kësaj administrate, mënyra e tatimit për të ardhurat nga kriptovalutat varet nga statusi i tatimpaguesit. Personat fizikë, qofshin afaristë apo jo, duhet të zbatojnë dispozitat e Ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale, ndërsa personat juridikë i nënshtrohen Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.
Për tatimin në të ardhurat personale, të ardhurat vjetore deri në 3 mijë euro nuk tatohen, ndërsa për të ardhurat nga 3 mijë deri në 5 mijë e 400 euro aplikohet norma 8 për qind, dhe për të ardhurat mbi këtë nivel norma është 10 për qind. Ndërkaq, për personat juridikë, norma e tatimit mbi të ardhurat e korporatave është 10 për qind.
ATK rikujton se të gjithë personat fizikë jo afaristë, personat fizikë afaristë dhe personat juridikë janë të obliguar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.
Kjo administratë ka paraparë edhe rastet kur operimi me kriptovaluta nuk është përfitues.
“Nëse personi krijon humbje atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen”, thuhet në njoftim.
ATK paralajmëron se ndaj të gjithë atyre që nuk deklarojnë të ardhurat dhe nuk përmbushin obligimet tatimore do të ndërmerren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në fund, ky institucion u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të deklarojnë të ardhurat e tyre ose të korrigjojnë deklaratat ekzistuese sa më parë, në mënyrë që të shmangin ndëshkimet dhe të përmbushin obligimet ligjore.
