Tahiri kritikon numrin e madh të anëtarëve të Qeverisë Kurti 3 dhe punonjësve tjerë: 453 persona janë të emëruar politikisht

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Besnik Tahiri përmes një konference për media, ka kritikuar numrin e madh të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, për çka ka thënë se është bërë vetëm për akomodim të partisë në pushtet në Qeveri. Ai ka thënë se ky kabinet i Qeverisë Kurti 3 është më i madhi në…

Lajme

18/03/2026 11:20

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Besnik Tahiri përmes një konference për media, ka kritikuar numrin e madh të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, për çka ka thënë se është bërë vetëm për akomodim të partisë në pushtet në Qeveri.

Ai ka thënë se ky kabinet i Qeverisë Kurti 3 është më i madhi në Ballkanin Perëndimor, ndërsa sipas tij në krahasim me numrin e popullatës është më i madh se i Kinës, Indisë dhe i Pakistanit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar rregulloren e saj me numër 04/2026, ku ka prezantuar strukturën e ministrive, anëtarët e kabinetit dhe mbi të gjitha ka krijuar ministri të cilat nuk kanë portofol real, po kanë portofol fiktiv me qëllimin e vetëm për të rritur numrin e ministrive, për të pasur sa më shumë staf të emëruar politik dhe në të njëjtën kohë për të akomoduar agjendën e tyre partiake”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se kjo rregullore nuk reflekton nevojën e Kosovës.

“Kjo është analiza e strukturës së kabineteve qeveritare, e cila kur e shohim kornizën ligjore, flasim kështu: Kryeministri: Ka deri 24 këshilltarë politikë, prej tyre 10 të jashtëm dhe 15 staf. Zëvendëskryeministrat: Kanë 8 deri në 11 këshilltarë, prej tyre janë pesë të jashtëm dhe gjashtë staf brenda kabineteve të veta. Ministrat: Kanë deri në shtatë këshilltarë politikë, tre të jashtëm dhe katër staf. Zëvendësministrat pa portofol: (Pra që nuk ekzistojnë ministrat që kanë ministri, pra ata që janë pa portofol) kanë deri në dy staf. Supozimi analitik është ky: 19 ministri dhe minimum dy zëvendësministra për ministri, që përbëjnë gjithsej 38. Kjo është struktura bazë ku paraqitet numri i pozicioneve kryesore në qeveri: normal është kryeministri, tre zëvendëskryeministra, 19 ministrat, 38 zëvendësministra, shikoni, 57 anëtarë të stafit politik”, tha ai.

Tahiri prezantoi edhe ministrat dhe zëvendësministra që janë gjithsej 19.

“Po flasim për 19 ministra. Pastaj po flasim në ligjin për qeveri janë nga  dy zëvendësministra. Pra jemi duke folur 19, plus 19 minimum, plus disa, mbi 40 autoritete që kanë të drejtë nënshkrimi. Pra ne kur nuk e kemi sfiduar çështjen e zëvendësministrit, nuk e kemi sfiduar se kanë qenë 15 ministri. Dhe tash, diku rreth 40 njerëz në këtë qeveri, varet prej portofolios, prej detyrës që i jep ministri, ka të drejtë nënshkrimi për një situatë të caktuar. Domethënë a jeni duke e parë për çfarë katrahure politike, për çfarë madhësie të një kabineti politik po flasim?”, ka thënë Tahiri.

Ai ka përmendur edhe numrin e këshilltarëve dhe stafit.

“Kryeministri, ka deri në 49 këshilltarë, dhe staf. A jeni duke e kuptuar? 50 njerëz, duke përfshirë këshilltarë politikë, këshilltarë të jashtëm, 15 staf i emëruar politik, ata emërohen, mendojnë nën parti i thonë shko, bëhu shofere, asistente… 50 njerëz, 49 staf i ka në kabinetin e tij. A ju kujtohet çfarë thoshte? Ky kryeministri s’ka nevojë… për pak këshilltarë ka nevojë. 50 i ka bërë, me rregullore pra, me këtë rregulloren këtu. Po flasim te zëvendëskryeministrat. Mesatarisht 20-22. Ministrat deri në 14 këshilltarë dhe staf. Zëvendësministrat, dy, tre, nënpost administrativ”, tha ai.

Tahiri tha se Qeveria Kurti ka 453 njerëz të emëruar politikisht.

“Kapaciteti total i kabineteve sipas nivelit të numrit gjithsej të këshilltarëve dhe stafeve: 49 kryeministri. 64 tek zëvendëskryeministrat (total 2 plus 1 në zyrën e kryeministrit). 238 të emëruar politikë me një nënshkrim nëpër ministri. Te zëvendësministrat, 102. Shihni, kjo qeveri i ka 453 njerëz që mundet me i emëru politikisht. Nuk po e thotë Besnik Tahiri. Po e thotë rregullorja 04/2026, e cila për mendimin tim përbën numrin më të madh, madhësinë më të madhe të emërimeve politike të kabineteve që e ka dikush”, u shpreh ai.

Tahiri tregoi edhe arsyen e prezantimit të kësaj analize, duke shtuar se  vendi po gjendet në kohë krizash.

“Qytetarë të Republikës së Kosovës, arsyeja pse po e prezantojmë sot këtë analizë krahasuese faktike është e thjeshtë: Përderisa sot qytetari i Kosovës është duke u ballafaquar me probleme substanciale të jetës së vet, me problemin për të lidhur muajin me muaj, me ekzistencën e vet e të familjes, me kërkesën për një vend pune e për një jetë më të dinjitetshme, sot kjo është madhësia e qeverisë aktuale. Ajo akomodon për herë të parë në historinë e Kosovës një numër kaq të madh të emëruarve politikë. Dhe mbi të gjitha, është kjo qeveri që ende s’ka prodhuar program, ende nuk e dimë për çka qëndron, veçse e dimë që ditë për ditë emëron zëvendësministra e këshilltarë, duke akomoduar njerëzit e vet politikë e partiakë, pa u shqetësuar për problemet serioze që lidhen me inflacionin, me ngritjen e çmimeve dhe me mungesën e perspektivës në këtë vend”, shtoi ai.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi foli edhe për kuotën gjinore dhe kërkoi që të respektohet.

Ky është kabineti qeveritar, gjithashtu kemi një kabinet më diskriminues, sepse nga 21 anëtarë, sot i kemi vetëm katër gra ministre, ku deri dje nëpër fushata kanë folur që, për të drejtat e grave dhe sot i kemi vetëm katër gra ministre. I kemi më pak se 20% të kabinetit qeveritar. Andaj unë kërkoj nga qeveria që të respektohet barazia gjinore dhe gjithashtu një kabinet i cili ka 21 anëtarë prej ministrave të plotësohet në bazë të kuotës gjinore. Gjithashtu ne jemi këtu për të parë se qeveria Kurti është më pak serioze në këtë aspekt sepse ne e dimë shumë mirë se sa kanë folur për të drejtat e grave gjatë fushatës, ne e dimë shumë mirë se çka kanë bërë për të drejtat e grave dhe gjithashtu nuk është respektuar ligji për barazi gjinore. Andaj sot kërkoj nga qeveria Kurti të bëjë një reflektim dhe të respektohet barazia gjinore.