Ndjekje si në filma nga policia: Arrestohet 46-vjeçari në Shëngjergj, u kap me armë e municion

Një person është arrestuar sot në flagrancë gjatë një operacioni policor, pasi dyshohet se transportonte armë dhe municion me qëllim shitjen në Tiranë. Bëhet fjalë për Urim Meta, 46 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap nga autoritetet gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte. Gjatë bastisjes në makinë, policia gjeti 4 kallëpe tritoli, 2…

Lajme

17/03/2026 12:02

Një person është arrestuar sot në flagrancë gjatë një operacioni policor, pasi dyshohet se transportonte armë dhe municion me qëllim shitjen në Tiranë.

Bëhet fjalë për Urim Meta, 46 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap nga autoritetet gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte. Gjatë bastisjes në makinë, policia gjeti 4 kallëpe tritoli, 2 armë zjarri dhe 1 mijë e 500 fishekë të ndryshëm.

“Arrestohet në flagrancë shtetasi që transportonte armët dhe municionin, që dyshohet se i kishte marrë në fshatin Shëngjergj, me qëllim shitjen në Tiranë. Si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të shtetasve të përfshirë në transportim/shitje të armëve shpërthyese dhe armëve të zjarrit, për përdorim në ngjarje kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan me sukses operacionin e koduar “Synimi””, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se gjatë operacionit, u kap në flagrancë, në rrugën e fshatit Shëngjergj, shtetasi U. M., 46 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli në automjetin që drejtonte, u gjetën 4 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Armët dhe municioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit. Vijon hetimi, në drejtimin e Prokurorisë,me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.