Totaj reagon pas miratimit të ligjit për IQMT-në: Vendim i papranueshëm, hap kundër decentralizimit dhe ligjit për Vetëqeverisje Lokale

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka reaguar pas miratimit të ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Totaj ka thënë se përmes këtij ligji, kompetencat e inspektorateve komunale në fushën e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë po merren nga komunat dhe po centralizohen në nivel qendror. Këtë vendim ai e ka parë si të…

Lajme

02/03/2026 12:21

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka reaguar pas miratimit të ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Totaj ka thënë se përmes këtij ligji, kompetencat e inspektorateve komunale në fushën e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë po merren nga komunat dhe po centralizohen në nivel qendror.

Këtë vendim ai e ka parë si të papranueshëm.

“Ai është hap i drejtpërdrejtë kundër decentralizimit, kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kundër Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe kundër Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, të cilën Kosova e ka pranuar si standard bazë për demokracinë lokale. Komuna nuk është degë e administratës qendrore. Komuna është institucion i të zgjedhurve nga qytetarët.  Inspektorati komunal është mekanizëm për mbrojtjen e konsumatorit, biznesit lokal dhe rendit në treg. Heqja e këtyre kompetencave nuk është reformë por është centralizim që dobëson komunat, rrit burokracinë dhe e largon shtetin nga qytetari”, ka shkruar Totaj.

Ai ka thënë se kjo nuk është mënyra se si ndërtohet partneritet ndërinstitucional.

“Nëse dje janë marrë kompetencat e inspektoratit, nesër mund të merren kompetenca të tjera në fusha vitale për komunë. Prandaj, si kryetar komune, nuk do të hesht përballë çdo vendimi që dëmton autonominë lokale dhe interesin e qytetarëve që më kanë zgjedhur. Decentralizimi është themel i shtetit demokratik. Pa komuna të forta, nuk ka Kosovë të fortë”, ka shtuar Totaj. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: