Dialogu Ekonomik synon tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” sot u zhvillua Dialogu i Parë Ekonomik për vitin 2026, ku u diskutuan rrugët drejt zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës dhe forcimit të saj si destinacion për investime të huaja direkte. Drejtori ekzekutiv i Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, Gokhan Acikgoz tha se përmes këtij dialogu synohet thellimi…

Lajme

25/02/2026 13:29

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” sot u zhvillua Dialogu i Parë Ekonomik për vitin 2026, ku u diskutuan rrugët drejt zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës dhe forcimit të saj si destinacion për investime të huaja direkte.

Drejtori ekzekutiv i Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, Gokhan Acikgoz tha se përmes këtij dialogu synohet thellimi i partneritetit, zgjerimi i tregtisë dhe inkurajimi i investimeve në Kosovë.

“Zgjodhëm aeroportin sepse nuk ka vend më të përshtatshëm për të zhvilluar diskutime dhe dialog të tillë. Pse? Sepse këtu lëviz fizikisht tregtia ndërkombëtare. Këtu zinxhirët e furnizimit lidhen me tregjet globale. Dhe këtu mbërrijnë liderë biznesi, sipërmarrës dhe diplomatë për t’i kthyer marrëveshjet në veprime konkrete. Ky aeroport, aeroporti ynë rajonal ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ përfaqëson anën praktike të bashkëpunimit ekonomik. Është infrastruktura që e shndërron dialogun në realizim konkret. Prandaj, e kemi zgjedhur këtë vend sot dhe ju mirëpresim në aeroportin tonë. Duke u takuar në këtë portë hyrëse, na rikujtohet se ekonomitë e forta ndërtohen mbi lidhje të forta dhe se lidhshmëria është themeli i prosperitetit”, tha ai.

Ministrja e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila tha se me zhvillim të qëndrueshëm Kosovën do ta bëjnë histori të jashtëzakonshme përtej Ballkanit.

Si prioritete të saj si ministre e Tregtisë, Kusari-Lila përmendi forcimin e zonave ekonomike, promovimin e inovacionit, ndërsa si projekti strategjike veçoi Brezovicën dhe linjën hekurudhore “Prishtinë-Durrës.

“Është një përgjegjësi e madhe, por vjen edhe nga bindja se me zhvillim të qëndrueshëm dhe vizion afatgjatë, do ta bëjmë Kosovën jo vetëm një histori suksesi, por një histori të jashtëzakonshme, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Po, ekziston një listë e veprimeve afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata që jo vetëm ministria ime, por e gjithë Qeveria e Kosovëse cila tani ka një mandat të plotë katërvjeçar do t’i ndërmarrë. Sa i përket reformave për të bërit biznes, aktualisht jemi duke punuar në reforma për Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, si dhe në zgjerimin e kapaciteteve të saj dhe të sistemit që e mbështet. Qasja ime është që të ndërtojmë sisteme të hapura, transparente dhe komunikuese, që u mundësojnë bizneseve jo vetëm të përfundojnë regjistrimin dhe shërbimet pasuese, por edhe të kenë siguri dhe besueshmëri në sistem”, theksoi Kusari-Lila.

Emrush Ujkani nga Këshilli Ekonomik i Investitorëve tha se ky dialog ekonomik ka qëllim mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe forcimin e atraktivitetit të vendit për investime të huaja direkte.

Sipas tij heqja e masave të BE-së karshi Kosovës shënon një kapitull të ri bashkëpunimi.

“Ai është shndërruar në një hapësirë ku shkëmbejmë pikëpamje ndonjëherë edhe mendime të ndryshme por gjithmonë me një qëllim të përbashkët: mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe forcimin e atraktivitetit të vendit për investime të huaja direkte….. pas një viti sfidues veçanërisht vitit të kaluar me paqartësi institucionale, jemi të kënaqur që shohim formimin e një qeverie të re. Po ashtu, e mirëpresim ngrohtësisht heqjen e masave nga institucionet e Bashkimit Evropian ose më saktë nga shtetet anëtare të BE-së, gjë që hap një kapitull të ri për bashkëpunim të ripërtërirë”, tha ai.

Shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe të Integrimit Evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda tha se formimi i qeverisë së re është hap i rëndësishëm për rikthimin e integrimit të Kosovës në binarë dhe për vijimin e reformave.

Sipas tij BE është donatori më i madh për Kosovës pasi nga vitit 1999 ka ofruar 3.7 miliardë euro.

“Objektivi kryesor i Bashkimit Evropian në bashkëpunimin ekonomik me Kosovën është të mbështesë rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe ta përgatisë vendin për integrim gradual në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian. Këtë po e bëjmë përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit…Plani i rritjes ka gjithashtu një dimension rajonal, jo vetëm përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Një numër i konsiderueshëm hapash në kuadër të agjendës së reformave lidhen drejtpërdrejt me shtyllën e parë të Planit të Rritjes integrimin ekonomik me Tregun e Vetëm të BE-së si dhe me shtyllën e dytë, që është Tregu i Përbashkët Rajonal. Avancimi në këto reforma do t’i mundësojë Kosovës të përshpejtojë integrimin ekonomik, të rrisë përfitimet nga bashkëpunimi rajonal dhe të afrohet më tej me Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Në Dialogu Ekonomik të parë për këtë vit ishin pjesëmarrës nga vende të BE-së e misione diplomatike në vend./kp