Arifi kundër zgjedhjes direkte të Presidentit: Do ta komplikonte edhe më shumë situatën
Analisti politik Avni Arifi ka reaguar lidhur me idenë për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe zgjedhjen e Presidentit përmes votës direkte nga qytetarët, duke vlerësuar se kjo nuk do të ishte zgjidhje e mirë për vendin. Sipas tij, ndonëse në shikim të parë zgjedhja direkte mund të duket si zgjidhje e duhur, një analizë…
Lajme
Analisti politik Avni Arifi ka reaguar lidhur me idenë për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe zgjedhjen e Presidentit përmes votës direkte nga qytetarët, duke vlerësuar se kjo nuk do të ishte zgjidhje e mirë për vendin.
Sipas tij, ndonëse në shikim të parë zgjedhja direkte mund të duket si zgjidhje e duhur, një analizë më e thellë tregon se kjo do t’i komplikonte edhe më shumë proceset politike në vend.
Arifi thekson se nëse Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, atëherë do të lindte nevoja që ai të ketë kompetenca më të mëdha, të cilat aktualisht i takojnë Kryeministrit. Madje, edhe nëse nuk do të kishte shtim formal të kompetencave, legjitimiteti i marrë nga vota popullore do ta fuqizonte ndjeshëm rolin e Presidentit.
“Kosova do të udhëhiqej nga ‘dy atllarë në një mullar’, siç thotë populli”, është shprehur ai, duke paralajmëruar për përplasje të mundshme ndërmjet Presidentit dhe Qeverisë.
Ai ka kritikuar gjithashtu kulturën politike në vend dhe në rajon, duke thënë se konceptet si “konsensus” dhe “kompromis” shpesh perceptohen si dobësi apo dorëzim, gjë që sipas tij do të prodhonte bllokada të vazhdueshme institucionale në rast të një sistemi me dy qendra të forta legjitimiteti.
Sipas Arifit, problemi nuk qëndron te forma e zgjedhjes së Presidentit, por te kultura institucionale. Ai sugjeron se Kosova ose duhet të kalojë plotësisht në sistem presidencial, ose të vazhdojë me sistemin aktual parlamentar, por me thjeshtësim të procedurave, duke hequr kërkesën për prezencën e 80 deputetëve në sallë për zgjedhjen e institucioneve.
“Nuk i duhet Kosovës kurrfarë komplikimi”, ka përfunduar ai. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: