“LDK ka njerëz me potencial për President”, me çfarë qëndrimi do t’i shkojë Abdixhiku Kurtit sot

Lumir Abdixhiku do t’i shkojë sot në takim Albin Kurtit për të biseduar për çështjen e Presidentit. Dhe ndërkohë që kryeministri nisi bisedimet me kryetarët e partive të tjera, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se kjo parti ka “njerëz shembull” për president të vendit. Kryeministri Albin Kurti pritet të takohet sot pasdite me kryetarin…

Lajme

23/02/2026 11:58

Lumir Abdixhiku do t’i shkojë sot në takim Albin Kurtit për të biseduar për çështjen e Presidentit. Dhe ndërkohë që kryeministri nisi bisedimet me kryetarët e partive të tjera, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se kjo parti ka “njerëz shembull” për president të vendit.

Kryeministri Albin Kurti pritet të takohet sot pasdite me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Një ditë pasi e takoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, Kurti do të flasë sot me Abdixhikun për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

LDK-ja pret konsensus nga bisedimet për Presidentin. Deputeti Armend Zemaj thotë se nuk kanë një emër si kandidat, por se LDK-ja ka “njerëz që janë shembull” për pozita të tilla.

“Nuk është që është biseduar a do të kemi kandidat. Ajo që është e ditur dhe e njohur, kemi potencial. gjithmonë kemi pasë potencial. Kemi njerëz që janë shembull në udhëheqje dhe lidership, qoftë president, kryeministër apo pozita të tjera”, ka thënë ai dje për KosovaPress.

I pyetur për emrin e Vjosa Osmanit, e cila ka shprehur dëshirën për të qëndruar ende në karrigen e presidentes së vendit, Zemaj tha shkurt: “Akoma nuk ka vendim politik të Lidhjes Demokratik të Kosovës”.

Në takimin e djeshëm të Kurtit me Hamzën, Zyra e Kryeministrit tha se kryetari i PDK-së “shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”. Për çështjen e Presidentit, ZKM tha se “u konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”.

Hamza tha pas takimit me Kurtin se zgjedhja e Presidentit është “çështje e të gjithëve”, Express.

“Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese”, shkroi ai dje në një postim në Facebook.

Ai kërkoi “reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake”. Tha se “stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”.

“Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri”.