Kadrijaj kritikon ndarjen e buxhetit për rrugën Dollc-Gjakovë dhe Deçan-Plavë: Me këtë buxhet, këto dy rrugë të rëndësishme nuk përfundojnë
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, në lidhje me buxhetin që është propozuar për votim. Ajo ka thënë se ky buxhet ndonëse duket i madh në letër, është i vogël krahasuar nevojave të qytetarëve. “Mos të harrojmë se kemi menaxhuar me mbi 50 miliardë euro, për këto…
Lajme
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, në lidhje me buxhetin që është propozuar për votim.
Ajo ka thënë se ky buxhet ndonëse duket i madh në letër, është i vogël krahasuar nevojave të qytetarëve.
“Mos të harrojmë se kemi menaxhuar me mbi 50 miliardë euro, për këto pesë vite të qeverisjes suaj, dhe nuk kemi parë ndonjë ndryshim të dukshëm. Kosova nuk ka nevojë për buxhet që duket mirë në prezantim, por për buxhet që ndihet në xhepin e qytetarit, në vendpune, në spital, në shkollë dhe nstitucione tjera. Ky buxhet nuk është zhvillimor, nuk është buxhet që rrit ekonominë, por buxhet që mban administratën por nuk fuqizon prodhimin. Megjithë këtë, nuk shohim plan të qartë për hapjen e vendeve të reja të punës, nuk shohim mbështetje të fuqishme për bizneset vendore, nuk shohim vizion ekonomik që e ndal ikjen e të rinjve. Qytetari vazhdon të përballet me çmime të larta, pasiguri ekonomike dhe mungesë perspektive”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ka thënë se me 4 miliardë euro, Kosova duhet ta kishte një plan të qartë zhvillimi.
“Ky buxhet nuk i jep atë drejtim. Në shëndetësi, realiteti është i rëndë, mjekët largohen, qytetarët presin me muaj për shërbime. Ky buxhet nuk sjell reformë, shëndetësia nuk trajtohet si proritet kombëtar. Në arsim sfidat janë të mëdha, cilësia kërkon investim serioz dhe afatgjatë. Pa arsim cilësor nuk ka zhvillim ekonomik. Pa investim real në shkollë, në infrastrukturë dhe përgatitje të brezave të rinj ne vetëm po e shtyjmë problemin përpara. Edhe në aspekt të sigurisë, në një kohë sfidash të brendshme dhe rajonale, buxheti duhet të reflektoj qartësi dhe vendosmëri. Siguria e shtetit nuk mund të mbetet në nivel deklarativ. Në sektorin e enerjgisë, dështimi është i qartë dhe i prekshëm për çdo familje në Kosovë. Qytetarët kanë paguar faturat më të larta në rajon, bizneset janë përballur me apsiguri, ndërsa vendi vazhdon të mbetet pa strategji të qëndrueshme energjetike. Ministrja nuk ka arritur të stabilizoj sektorin, por prapë është shpërblyer me postin e ministres”, ka thënë Kadrijaj/
Ajo ka thënë se ky buxhet nuk i trajton barabartë Komunat, e siç thotë Kadrijaj “votat i keni kërkuar cep më cep, investimet duhet të bëhet cep më cep”.
Kadrijaj ka përmendur edhe disa investime infrastrukturore në rajonin e Dukagjinit.
“Pash që keni ndarë vetëm 6 milionë euro për rrugën Dollc-Gjakovë, në rrugë e një rëndësie të madhe ku ka mbetur edhe 40% e papërfunduar, ndërsa me këto milionat tuaj nuk ka mundësi të përfundoj. Unë mendoj se është koha që të investohet në atë pjesë, dhe të përfundoj kjo rrugë që ka ngelë me vite pa përfunduar. Keni ndarë vetëm 1 milionë euro që kanë mbetur nga viti i kaluar për rrugën Deçan- Plavë. Është mirë ky kabinet ndoshta edhe ministri i Infrastrukturës dhe i Financave, ta shoh atë rrugë duke e ditur që është rrugë e një rëndësie të veçantë me pa çka është investu dhe cilat janë nevojat të përfundoj, dhe ndoshta do kishit reflektuar që për këtë rrugë të ndanit më shumë buxhet që të përfundoj. Sepse kur komunat nuk ndihen të trajtuara njësoj, krijohet padrejtësi dhe ndarje”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ka thënë se Kosova meriton një buxhet që krijon punë, forcon shtetin, dhe investon seriozisht në shëndetësi e arsim.
Në lidhje me pagën e 13-të, ajo ka pyetur nëse do ta marrin këtë pagë edhe kompanitë publike.
Kadrijaj ka pyetur edhe nëse do të intervenohet për pagesën prej 0.5% në përvojë punë, gjithashtu edhe a do tëpaguhen mëditjet e ushtarëve për jashtë vendit e a do të kenë uniforma Policia e Ushtria përmes këtij buxheti.
Në lidhje me pakon e investimit në qendra e skijimit, ajo ka pyetur nëse do të investohet edhe tek Bjeshka e Madhe e Deçanit dhe ajo e Belegut,
Deputetja e AAK-së, ka folur edhe për largimin nga puna të gazetares Edina Avdiu nga RTK
“Kisha kërku prej juve, mësohuni me kritika, akuza, që do të ballafaqoheni me një realitet dhe mos i ndëshkoni gazetarët e Kosovës, siç është rasti i Edina Avdiu, e cila përjashtohet prej RTK-së për shkak të parashtrimeve të pyetjeve ndaj kryeministrit për çështje të ndryshme. Gazetarët dhe ne do t’iu ballafaqojmë me këtë realitet, sepse kjo është detyra jonë/ Mos u mundoni mi ndëshku gazetarët, me i largu prej vendit të punës për shkak të kundërshtimt të politikave të juaja”, ka shtuar Kadrijaj.
Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon. /Lajmi.net/