Kompania Rajonale e Ujësjellësit Gjakova ka njoftuar se po vazhdon çdo ditë aksioni për shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit ndaj konsumatorëve që kanë detyrime të papaguara, në të gjitha zonat e shërbimit të kompanisë.
Sipas njoftimit, ky veprim po realizohet me qëllim të garantimit të furnizimit të rregullt dhe cilësor me ujë të pijshëm për konsumatorët e rregullt, si dhe për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe funksionimit të qëndrueshëm të kompanisë.
KRU Gjakova ka ftuar të gjithë konsumatorët me borxhe të papaguara që të paraqiten në zyrat e kompanisë për të kryer pagesat ose për të lidhur marrëveshje për pagesë me këste.
Në të kundërt, ekipet operacionale do të vazhdojnë shkyçjet sipas planit operativ në fuqi.
Po ashtu, kompania ka bërë të ditur se konsumatorët e shkyçur do të ngarkohen edhe me tarifat përkatëse të shkyçjes dhe ri-kyçjes, në përputhje me rregulloret dhe tarifat në fuqi.