Manipulimi i votave: Në Junik e Deçan intervistohen si të dyshuar rreth 30 komisionerë, komunat e tjera vazhdojnë ditëve në vijim
Prokuroria Themelore në Pejë, sot ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike. Prokuroria ka njoftuar sot se autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore…
Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë, sot ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.
Prokuroria ka njoftuar sot se autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.
“Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”,thuhet në njoftim.
Që nga mëngjesi i ditës së sotme e deri tani, në Komunën e Junikut dhe Deçanit janë intervistuar në cilësinë e personave të dyshuar rreth 30 komisionerë.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Më datë 19 janar, Kryeprokurorja ka autorizuar hetimet rajonale për grumbullimin e provave rreth procesit të rinumërimit të votave të kandidatëve dhe njëkohësisht ka caktuar disa prokurorë të cilët merren me këtë proces dhe të njëjtit kanë autorizuar hetimet rajonale që sot të filloj intervistimi. Përkatësisht për Komunën e Junikut dhe Deçanit ku sot janë proceduar nën cilësinë e personave të dyshuar rreth 30 komisionerë, ndërkaq pjesa tjetër pritet të procedohet ditëve në vijim”, ka thënë Nikçi.
Ai ka shtuar se ditëve në vijim, do të intervistohen komisionerët edhe në komunat e tjera, pasi që siç ka thënë Nikçi, Prokuroria Themelore në Pejë, ka kompetenca territoriale mbi pesë komuna.
Në lidhje me manipulimin e votave, deri tani janë arrestuar komisionerë në Komunën e Prizrenit dhe të Malishevë. Përveç këtyre dy komunave, hetimet kanë vazhduar edhe në komuna të tjera ku komisionerët janë intervistuar. Deri tani 30 komisionerë janë nën masën e paraburgimit. /Lajmi.net/