Vritet në Libi djali i Gaddafit
Saif al-Islam Gaddafi, i biri i ish-udhëheqësit libian, Muammar Gaddafi, është vrarë në Libi, raporton televizioni “Al Jazeera”. Ahmed Khalifa, korrespondent i këtij televizioni në Libi, tha të martën se besohet se Gaddafi i ri është qëlluar me armë dhe është vrarë në qytetin Zintan, ku ishte duke jetuar në dekadën e fundit. Vrasjen e 53-vjeçarit…
Bota
Saif al-Islam Gaddafi, i biri i ish-udhëheqësit libian, Muammar Gaddafi, është vrarë në Libi, raporton televizioni “Al Jazeera”.
Ahmed Khalifa, korrespondent i këtij televizioni në Libi, tha të martën se besohet se Gaddafi i ri është qëlluar me armë dhe është vrarë në qytetin Zintan, ku ishte duke jetuar në dekadën e fundit.
Vrasjen e 53-vjeçarit e konfirmoi këshilltari i tij politik, Abdullah Othman, por sulmuesit dhe rrethanat mbeten të paqarta.
Autoritetet libiane ende nuk e kanë komentuar publikisht rastin.
Saif al-Islam Gaddafi asnjë herë nuk kishte mbajtur ndonjë post publik në Libi, por ishte cilësuar si numri dy i babait të tij nga viti 2000 deri më 2011, kur Muammar Gaddafi ishte vrarë nga forcat opozitare libiane që i kishin dhënë fund pushtetit të tij të gjatë.
Saifi ishte kapur dhe ishte burgosur në Zintan në vitin 2011, pasi ishte përpjekur që të largohej nga vendi, kur opozita e kishte marrë nën kontroll qytetin Tripoli.
Ai ishte liruar në vitin 2017 si pjesë e një amnistie të përgjithshme.
I shkolluar në “London School of Economics” dhe folës i mirë i gjuhës angleze, ai dikur shihej nga shumë shtete si fytyra e pranueshme e Libisë e si figurë miqësore ndaj Perëndimit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, kur kishte shpërthyer kryengritja ndaj pushtetit të gjatë të Gaddafit më 2011, Saifi menjëherë e kishte zgjedhur familjen dhe besnikërinë ndaj klaneve mbi miqësitë e tij të shumta, duke u bërë arkitekt i një shtypjeje brutale kundër rebelëve, të cilët i kishte quajtur minj.
Duke folur për agjencinë “Reuters” në kohën e kryengritjes së rebelëve, ai kishte thënë: “Ne luftojmë këtu në Libi, ne vdesim këtu në Libi.”
Saifi kishte paralajmëruar se lumenj gjaku do të rridhnin dhe forcat qeveritare do të luftonin deri në burrin e fundit, gruan e fundit dhe plumbin e fundit.
“E tërë Libia do të shkatërrohet. Do të na duhen 40 vjet për të arritur një marrëveshje për atë se si ta drejtojmë vendin, sepse sot, secili do të do të dojë që të jetë president, apo emir, dhe secili do të dojë që ta drejtojë vendin” – kishte thënë ai.