KESCO dhe KEDS s’e përballojnë që paga minimale në Kosovë të rritet, kërkuan shtrenjtimin e faturave të rrymës edhe mbi këtë arsye
Rritja e çmimit të rrymës, do të ishte një nga sfidat e para ekonomike që qytetarët e Kosovës do të përballeshin në vitin 2026. Ndonëse çmimi i çdo produkti tjetër është rritur, rritja e çmimit të rrymës do të kolapsonte edhe më tej zhvillimin e ekonomive familjare e gjithashtu edhe bizneseve. Përveç kësaj, kjo ndikon…
Lajme
Rritja e çmimit të rrymës, do të ishte një nga sfidat e para ekonomike që qytetarët e Kosovës do të përballeshin në vitin 2026.
Ndonëse çmimi i çdo produkti tjetër është rritur, rritja e çmimit të rrymës do të kolapsonte edhe më tej zhvillimin e ekonomive familjare e gjithashtu edhe bizneseve.
Përveç kësaj, kjo ndikon drejtpërdrejt në rritje të çmimit të bukës e produkteve të tjera, që secila prej tyre kërkon rrymë për t’u përgatitur e dal në treg.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), veçse ka pranuar aplikimet për të hyrat e lejuara maksimale, ku tre operatorë energjetikë në Kosovë kanë kërkuar rritjen e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), që kanë dërguar këto kërkesa në Zyrën e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE).
E në lidhje me këtë çështje, në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga ZRRE kanë konfirmuar se kanë pranuar aplikacionet për të hyrat e lejuara maksimale nga operatorët e licensuar si: KOSTT, KEDS dhe KESCO.
“ZRRE konfirmon se ka pranuar aplikacionet për të hyrat e lejuara maksimale nga operatorët e licencuar KOSTT, KEDS dhe KESCO, në kuadër të procesit të rregullt tarifor për vitin 2026. Të gjitha aplikacionet e dorëzuara janë publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, në funksion të transparencës dhe informimit të publikut”,theksohet në përgjigje.
Gjithashtu u tha se vlerësimi i këtyre aplikacioneve është në proces dhe po kryhet nga ekspertët e ZRRE-së, përmes analizës së detajuar teknike dhe financiare, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi.
“Pas përfundimit të vlerësimit, raportet përkatëse dhe propozimet tarifore do të publikohen dhe do t’i nënshtrohen procedurave të mëtejme, përfshirë konsultimin publik, para marrjes së çdo vendimi final”, bëri të ditur ZRRE.
KESCO, ka kërkuar rritje të cmimit të rrymës 21%. Ata deklaruan se kanë dorëzuar aplikimin tarifor, siç thonë në përputhje me kalendarin rregullator dhe me metodologjinë e miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
“Në këtë fazë, aplikimi nuk përfaqëson një rezultat përfundimtar tarifor, por një kërkesë për njohjen e kostove të arsyetuara dhe të dokumentuara, të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për konsumatorët. Si furnizues, kostot tona janë në masë të madhe reflektim i kostove që krijohen përgjatë gjithë sektorit elektroenergjetik, përfshirë prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, kushtet e tregut dhe obligimet rregullatorë”,thuhet në përgjigjen e dhënë për lajmin nga Zyra për Informim e KESCO-s.
Po ashtu sipas tyre është e rëndësishme të theksohet se procesi i shqyrtimit tarifor është gjithëpërfshirës dhe përfshin vlerësimin e aplikimeve të dorëzuara nga të gjithë të licencuarit në sektor.
Por nga KESCO nuk kanë konfirmuar shifrën, apo përqindjen që kanë kërkuar në këtë rast.
“Meqenëse këto aplikime janë ende në proces shqyrtimi dhe nuk janë konsoliduar nga rregullatori, është herët të komentohet mbi ndonjë shifër konkrete apo mbi nivelin e mundshëm të ndryshimeve tarifore”, u theksua tutje.
KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.8 milionë euro.
Në arsyetimin për kërkesën për rritje të çmimit të rrymës, KESCO ka thënë se kjo vjen pas rritjes së pagës minimale.
“Është e rëndësishme të theksohet se me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 425 euro nga janari 2026 dhe 500 euro nga korriku 2026, pritet një efekt zinxhiror në kostot operative të Furnizuesit me Shërbim Universal”, thuhet nga KESCO në kërkesën për rritje të çmimit të rrymës dorëzuar në ZRrE.


Përveç KESCO-s, këtë arsyetim e ka bërë edhe KEDS.
“Rritja e pagës minimale në Republikës e Kosovës, e miratuar me vendim të Qeverisë së Kosovës më 31 tetor 2025, parashikon një rritje të pagës minimale në 425 euro bruto në muaj, duke filluar nga 1 janari 2026, dhe në 500 euro bruto në muaj nga 1 korriku 2026, në kuadër të zbatimit të politikave sociale dhe ekonomike për përmirësimin e kushteve të punësimit dhe mbrojtjen e fuqisë punëtore. Ky vendim krijon një kosto shtesë operative për OSSH-në që nuk ishte parashikuar në bazën e kostove të miratuara në MYT3 dhe është plotësisht jashtë kontrollit të OSSH-së”, thuhet nga KEDS.
Ata gjithashtu kanë thënë se rritja e pagës minimale ndikon në kostot operative për shërbimet e kontraktuara me palë të treta, ku sipas tyre kostoja e punës përbën një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve.
“Ndryshimi i nivelit të pagës minimale ndikon në: sigurimin fizik dhe kontrollin e objekteve, shërbimet e pastrimit dhe higjienës, mirëmbajtjen e ndërtesave dhe objekteve, përfshirë punë fizike teknike, ku çmimi i kontratës aktuale duhet të rishikohet për të përfshirë rritjen e kostos së punës. Përveç këtyre, janë edhe projektet e tjera me angazhim të fuqisë fizike, të cilat kanë kosto të drejtpërdrejtë të punës si komponent kryesor dhe ndikohen në mënyrë disproporcionale nga ndryshimet ligjore të pagës minimale”, ka thënë KEDS.

Të njëjtin arsyetim nuk e ka përdorur KOSTT.
Ata kanë thënë se kërkesa për rritjen e çmimit të rrymës, synon të siguroj operim të qëndrueshëm të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të ofroj shërbime më cilësore për konsumatorët dhe të ruaj stabilitetin financiar të KOSTT-it.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.
E në bazë të tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë gjatë një muaji, paguajnë 9.05 centë për kilovatë, kurse ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovatë.
Ndërsa në kuadër të tarifave të lira që shfrytëzohen natën saktësisht nga ora 23:00 deri në ora 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovatë paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovat. E ata që shpenzojnë më shumë paguajnë 7.28 centë për kilovatë. /Lajmi.net/