Përveç policëve, edhe zyrtarët korrektues pa pagesa për orë shtesë, ndërrime nate dhe festa zyrtare

Disa njësi të Policisë së Kosovës nuk do të marrin pagesat për kompensimet e muajit dhjetor, si dhe për një pjesë të orëve jashtë orarit të rregullt të punës gjatë muajit të kaluar. Burime të Lajmi.net bëjnë të ditur se Thesari nuk ka mundur t’i ekzekutojë plotësisht këto pagesa për shkak të mungesës së buxhetit.…

Lajme

30/01/2026 17:35

Disa njësi të Policisë së Kosovës nuk do të marrin pagesat për kompensimet e muajit dhjetor, si dhe për një pjesë të orëve jashtë orarit të rregullt të punës gjatë muajit të kaluar.

Burime të Lajmi.net bëjnë të ditur se Thesari nuk ka mundur t’i ekzekutojë plotësisht këto pagesa për shkak të mungesës së buxhetit. Sipas këtyre burimeve, policët do të kompensohen vetëm për punën jashtë orarit deri në 32 orë, ndërsa pjesa tjetër e orëve shtesë nuk do të paguhet.

Përveç Policisë së Kosovës, pa kompensime kanë mbetur edhe zyrtarët e Qendrave Korrektuese. Lajmi.net mëson se zyrtarët korrektues nuk kanë marrë pagesat për festat zyrtare, as për ndërrimet e natës.

Po ashtu, zyrtarëve korrektues nuk u është paguar shtesa për rrezikshmëri që nga hyrja në fuqi e Ligjit për paga, pavarësisht faktit se natyra e punës së tyre përfshin ekspozim të vazhdueshëm ndaj rrezikut dhe kushte specifike të punës brenda institucioneve korrektuese.

Çka thuhet në rregullore?

Sipas rregullores në fuqi, shtesa për kushte specifike të punës është shtesë mujore që u takon zyrtarëve publikë dhe të punësuarve të tjerë që janë të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë së shtuar në vendin e punës ose që punojnë në kushte që ua rrezikojnë jetën dhe/apo shëndetin.

Rregullorja përcakton se kjo shtesë u takon zyrtarëve që, për shkak të detyrës, përballen drejtpërdrejt me rrezikshmërinë e jetës, përfshirë hetimet në terren dhe kryerjen e detyrave në operacione të rrezikshme.

Çështja e moskompensimit të orëve shtesë, ndërrimeve të natës dhe shtesave për rrezikshmëri ka qenë e përsëritur për Policinë e Kosovës dhe Shërbimin Korrektues, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të Ligjit për paga, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë përmendur vazhdimisht kufizimet buxhetore si arsye për këto mospagesa./Lajmi.net/