Rritet numri i bizneseve të reja në dhjetor, Prishtina kryeson me gjysmën e regjistrimeve
Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar janë regjistruar 1 mijë biznese të reja në Kosovë, duke shënuar rritje krahasuar me periudhat paraprake. Sipas të dhënave zyrtare, ky numër paraqet një shtim prej 8.8 për qind në raport me muajin nëntor, si dhe 6 për qind më shumë se në dhjetorin e vitit paraprak. Sektorët…
Lajme
Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar janë regjistruar 1 mijë biznese të reja në Kosovë, duke shënuar rritje krahasuar me periudhat paraprake. Sipas të dhënave zyrtare, ky numër paraqet një shtim prej 8.8 për qind në raport me muajin nëntor, si dhe 6 për qind më shumë se në dhjetorin e vitit paraprak.
Sektorët më të preferuar për hapjen e bizneseve rezultojnë të kenë qenë tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, me 252 biznese të reja apo 25.2 për qind të totalit. Pasojnë aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 120 biznese (12 për qind), shërbimet e akomodimit dhe ushqimit me 110 biznese (11 për qind), si dhe sektori i prodhimit me 99 biznese të reja (9.9 për qind), transmeton lajmi.net.
Sa i përket madhësisë së bizneseve, shumica dërrmuese janë mikro-ndërmarrje me 0 deri në 9 të punësuar, gjithsej 988 të tilla. Në kategorinë e bizneseve të vogla, me 10 deri në 49 të punësuar, janë regjistruar vetëm 12 ndërmarrje, ndërsa gjatë këtij muaji nuk është regjistruar asnjë biznes i mesëm apo i madh.
Në aspektin rajonal, Regjioni i Prishtinës prin me 500 biznese të reja, që përbëjnë gjysmën e regjistrimeve në nivel vendi. Më pas renditen Prizreni me 105 biznese, Gjilani me 99, Ferizaj me 87, Mitrovica me 85, Gjakova me 65 dhe Peja me 59 biznese të reja.
Megjithatë, përveç bizneseve të reja, gjatë dhjetorit janë mbyllur edhe 135 ndërmarrje, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës./lajmi.net/