Peci: Mitrovica do të ketë spital të ri, projekti nis pas formimit të Qeverisë Kurti 3

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, njofton se qyteti do të përfitojë një spital të ri me hapësira moderne dhe shërbime të plota shëndetësore. Lajmi u bë i ditur pas një takimi të tij me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku u diskutua edhe për sektorin e shëndetësisë në Mitrovicë dhe projektet që do…

Lajme

29/01/2026 21:21

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, njofton se qyteti do të përfitojë një spital të ri me hapësira moderne dhe shërbime të plota shëndetësore.

Lajmi u bë i ditur pas një takimi të tij me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku u diskutua edhe për sektorin e shëndetësisë në Mitrovicë dhe projektet që do të realizohen nga kjo ministri, transmeton lajmi.net.

Peci theksoi se implementimi i projektit për ndërtimin e spitalit do të fillojë sapo të formohet Qeveria Kurti 3. Gjithashtu, gjatë takimit u shqyrtua edhe mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më moderne të QKMF-së.

Kryetari i komunës siguroi se Mitrovica do të përmbushë të gjitha obligimet e saj për të bërë të mundur realizimin sa më të shpejtë të këtij projekti madhor për qytetarët.

Postimi i plotë:

Mitrovica do të bëhet me spital të ri.
🤝 Sot mirëprita në takim ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia. Diskutuam në lidhje me sektorin e shëndetësisë, posaçërisht për projektet që do të realizohen në Mitrovicë nga kjo ministri si dhe për ecurinë dhe dinamikën e realizimit të projektit për ndërtimin e spitalit.
🏥 Spitali i ri, me hapësira moderne dhe me të gjitha shërbimet shëndetësore, do të realizohet, ndërsa implementimi i tij do të fillojë sapo Qeveria Kurti 3 të formohet.
Gjithashtu, u shqyrtua mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të QKMF-së.
✅ Komuna e Mitrovicës do t’i kryejë të gjitha obligimet që i përkasin, në mënyrë që ky projekt madhor të jetësohet sa më parë./lajmi.net/