Rutte në Parlamentin Evropian: BE-ja nuk mund të mbrohet pa SHBA-në
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Ukraina po përballet me “dimrin më të ashpër” në më shumë se një dekadë, për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës kritike, veçanërisht në Kiev dhe qytete të tjera të mëdha. Duke folur para Parlamentit Evropian, Rutte theksoi se bisedimet e paqes të udhëhequra…
Bota
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Ukraina po përballet me “dimrin më të ashpër” në më shumë se një dekadë, për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës kritike, veçanërisht në Kiev dhe qytete të tjera të mëdha.
Duke folur para Parlamentit Evropian, Rutte theksoi se bisedimet e paqes të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë në zhvillim e sipër, duke vlerësuar iniciativën amerikane dhe duke përmendur gjithashtu “Koalicionin e të Vullnetshmëve” evropian, i cili po punon për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.
Ai nënvizoi se objektivi duhet të jetë ose arritja e një marrëveshjeje paqeje, ose një armëpushim afatgjatë, duke shprehur shpresën se kjo do të realizohet sa më shpejt, në mënyrë që të garantohet se presidenti rus Vladimir Putin nuk do ta sulmojë sërish Ukrainën.
Duke iu drejtuar eurodeputetëve, Rutte u bëri thirrje që të mos vendosin kufizime të tepërta në përdorimin e rreth 90 miliardë eurove në kredi evropiane për sigurinë. Ai paralajmëroi se kushtet e ashtuquajtura “blerje evropiane” mund të kufizojnë aftësinë e Ukrainës për të siguruar pajisjet që i nevojiten ose për të përdorur në mënyrë efektive fondet e disponueshme.
“Prioriteti duhet të mbeten nevojat e Ukrainës”, theksoi ai.
Rutte përsëriti se siguria e Ukrainës është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e Evropës në tërësi.
Duke iu referuar Groenlandës, Rutte tha se javën e kaluar ka zhvilluar disa biseda telefonike me udhëheqës evropianë, nga të cilat dolën dy drejtime kryesore. I pari lidhet me forcimin e aktiviteteve kolektive të NATO-s në Arktik, për të përballuar kërcënimet nga Rusia dhe Kina, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në mbrojtjen e ekonomisë së Groenlandës.
Drejtimi i dytë ka të bëjë me marrëdhëniet midis Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara, pas takimeve të fundit të zyrtarëve danezë dhe të Groenlandës me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
Rutte sqaroi se nuk ka mandat për të negociuar në emër të Danimarkës, por mbrojti presidentin amerikan, duke thënë se ai ka të drejtë të ngrejë shqetësime mbi sigurinë në Arktik, transmeton TCh.
Duke u rikthyer te çështja e Ukrainës, Rutte iu referua deklaratave të fundit të presidentit Volodymyr Zelensky, sipas të cilave garancitë e sigurisë nga SHBA janë afër një marrëveshjeje. Megjithatë, ai pranoi se çështja e territoreve mbetet veçanërisht e ndjeshme, duke theksuar se vetëm Ukraina mund të vendosë për kompromiset e mundshme.
Ai tha gjithashtu se Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, por vuri në dukje se disa vende anëtare janë ende kundër, duke e bërë këtë perspektivë politikisht jorealiste për momentin. Rutte mohoi kategorikisht se SHBA ka tentuar të lidhë garancitë e sigurisë për Ukrainën me diskutimet për Groenlandën.
Sekretari i Përgjithshëm përshëndeti gjithashtu veprimin e Francës për sekuestrimin e një tankeri që dyshohet se i përket të ashtuquajturës “flotë në hije”, duke goditur, sipas tij, burimet e financimit të Rusisë për luftën në Ukrainë.
Duke iu referuar ideve për një alternativë evropiane ndaj NATO-s pa SHBA-në, Rutte paralajmëroi se një skenar i tillë do të ishte jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe, sipas tij, do t’i shërbente interesave të Moskës.
Ai mbrojti gjithashtu qëndrimin e tij lidhur me presionin e ushtruar nga presidenti amerikan Donald Trump, duke argumentuar se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të PBB-së nga vendet anëtare të NATO-s nuk do të ishte arritur pa këtë presion. Sipas tij, vende si Spanja, Italia, Belgjika dhe Kanadaja nuk do ta kishin ndërmarrë këtë hap pa nxitjen amerikane.
Duke iu drejtuar sërish eurodeputetëve, Rutte theksoi se nëse ata besojnë se Bashkimi Evropian apo Evropa në tërësi mund të mbrohet pa SHBA-në, atëherë duhet të “vazhdojnë të ëndërrojnë”.
Ai përfundoi duke nënvizuar se Evropa ka nevojë për Shtetet e Bashkuara, ashtu si SHBA-ja ka nevojë për NATO-n, duke siguruar se, pavarësisht ndryshimeve në prioritetet e Uashingtonit, prania ushtarake amerikane në Evropë do të mbetet e fortë.