Stuhia e madhe dimërore godet SHBA-në, të paktën 7 viktima, mijëra fluturime të anuluara

Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima, ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe kaos në transportin ajror dhe rrugor. Shkollat dhe rrugët janë mbyllur në shumë zona të vendit, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), kushtet “kërcënuese për jetën” shtrihen nga…

Bota

26/01/2026 09:33

Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima, ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe kaos në transportin ajror dhe rrugor.

Shkollat dhe rrugët janë mbyllur në shumë zona të vendit, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), kushtet “kërcënuese për jetën” shtrihen nga Teksasi deri në Anglinë e Re.

Autoritetet raportojnë se dy persona humbën jetën nga hipotermia në Luiziana, ndërsa vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë shënuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas. Në Tennessee janë konfirmuar gjithashtu tre viktima si pasojë e kushteve ekstreme të motit.

Deri të dielën pasdite, më shumë se 800 mijë familje kishin mbetur pa energji elektrike, sipas të dhënave të poweroutage.us. Ndërkohë, mbi 11 mijë fluturime u anuluan në të gjithë vendin, raportoi FlightAware, shkruan euronews, transmeton KosovaPress.

Stuhia po shoqërohet me reshje të dendura bore, breshër dhe shi të ngrirë, një fenomen i rrezikshëm ku pikat e shiut ngrijnë menjëherë sapo prekin sipërfaqen. Meteorologët paralajmërojnë se këto kushte mund të zgjasin për disa ditë dhe se stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë, më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, njoftoi në rrjetin social X se të paktën pesë persona kanë vdekur në qytet të shtunën, por theksoi se shkaqet e vdekjes së tyre ende nuk janë përcaktuar.