Osmani pas antarësimit në Bordin e Paqës: Tregon shumë për vlerësimin që presidenti Trump dhe ShBA kanë ndaj Kosovës dhe rolit tonë në paqe

Vlerësim për Kosovën dhe paqen e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani, faktin që sot vendi ishte pjesë e 20 shteteve themeluese që nënshkruan Kartën e Bordit të Paqes në Davos. Në një intervistë për RTK-në, ajo ka thënë se të qenit pjesë e themelimit të kësaj marrëveshjeje përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë të Shteteve të…

Lajme

22/01/2026 20:49

Vlerësim për Kosovën dhe paqen e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani, faktin që sot vendi ishte pjesë e 20 shteteve themeluese që nënshkruan Kartën e Bordit të Paqes në Davos.

Në një intervistë për RTK-në, ajo ka thënë se të qenit pjesë e themelimit të kësaj marrëveshjeje përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të presidentit Donald Trump ndaj Kosovës dhe progresit të arritur.

“Fakti që SHBA-të e kanë përzgjedhur Republikën e Kosovës ndër 20 anëtaret themeluese, në këtë ceremoni të nënshkrimit sot, tregon shumë për vlerësimin që presidenti Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndaj Kosovës dhe rolit tonë në paqe”, deklaroi ajo nga Shtëpia e Kosovës në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Osmani tha se të qëndrosh me dhe përkrah SHBA-ve është edhe ndjenjë përkatësie, duke nënvizuar se Kosova tashmë prej një kohe të gjatë ka bërë të qarta qëndrimet e saj euroatlantike.

“Për Kosovën, çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare është i rëndësishëm, por ai bëhet edhe më i rëndësishëm dhe merr karakter historik kur flasim për themelimin e organizatave nga aleatët tanë strategjikë. Në këtë rast nga SHBA-të, aleati që ka qëndruar pranë Kosovës në kohët më të vështira dhe që vazhdon të qëndrojë me ne, teksa arrijmë suksese të reja për vendin dhe popullin tonë”, deklaroi presidentja.

Në intervistën për transmetuesin publik, Osmani tha se beson se kjo organizatë do të jetë ndër më të rëndësishmet në historinë moderne, duke ndikuar drejtpërdrejt në zonat e konfliktit. Ajo theksoi se përvoja e shtetndërtimit të Kosovës do të shërbejë si model i shkëlqyer.

“Natyrisht, Kosova, duke pasur përvojën e saj në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, arritjen e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, është një nga modelet më të shkëlqyera se si duhet ndërtuar shteti, paqja dhe aleancat. Nga përvoja jonë kemi shumëçka për të ofruar dhe jemi shumë mirënjohës ndaj presidentit Trump dhe SHBA-ve që Kosovën e kanë përzgjedhur si një nga shtetet që do t’i vënë themelet e kësaj organizate”, deklaroi Osmani.

Presidentja tha se, me rastin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, kjo marrëveshje do t’u dërgohet për ratifikim deputetëve të legjislaturës së re. Ajo shtoi se është e lumtur që, bashkë me Republikën e Shqipërisë, Kosova është pjesë e kësaj organizate.

Ndërkaq, për Shtëpinë e Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Osmani tha se është krenari e veçantë fakti që aty po përfaqësohen të arriturat dhe potenciali i Kosovës dhe i mërgatës para liderëve të rëndësishëm botërorë.

Osmani sot e përfaqësoi Kosovën si anëtare themeluese, të barabartë dhe me të drejta të plota në këtë iniciativë ndërkombëtare për paqen.