Ekstradohet një i dyshuar në Gjermani dhe transferohet një i dënuar nga Hungaria në Kosovë

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore, institucionet e drejtësisë dhe autoritetet ndërkombëtare, ka realizuar me sukses ekstradimin e një personi drejt Gjermanisë dhe transferimin e një të dënuari nga Hungaria për në Kosovë. Me datën 22 janar 2026, nga Kosova për në Gjermani është ekstraduar një…

Lajme

22/01/2026 14:16

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore, institucionet e drejtësisë dhe autoritetet ndërkombëtare, ka realizuar me sukses ekstradimin e një personi drejt Gjermanisë dhe transferimin e një të dënuari nga Hungaria për në Kosovë.

Me datën 22 janar 2026, nga Kosova për në Gjermani është ekstraduar një shtetas gjerman, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet gjermane për përfshirje në veprën penale “kontrabandim me migrantë”. I dyshuari kishte qenë në arrati dhe i ishte shmangur drejtësisë, raporton lajmi.net

Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës Federale të Gjermanisë.

Po në të njëjtën datë, nga Hungaria për në Kosovë është transferuar një shtetas i Kosovës, i dënuar nga autoritetet hungareze për veprat penale “grabitje” dhe “privim i kundërligjshëm i lirisë”. Pas transferimit, i dënuari i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte vuajtur në Hungari.

Të dyja proceset, ekstradimi dhe transferimi, janë realizuar nën masa të rrepta sigurie.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë shkëmbimin e informatave dhe bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe luftimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimit, kapjes dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit./Lajmi.net/