IKD kërkon zbatim të ligjit dhe funksionalizim të menjëhershëm të KPK-së
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, duke vlerësuar se ato po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Sipas IKD-së, më 1 janar 2026 ishte paraparë të fillonte zbatimi i reformës në sistemin…
Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, duke vlerësuar se ato po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Sipas IKD-së, më 1 janar 2026 ishte paraparë të fillonte zbatimi i reformës në sistemin prokurorial, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK, i cili parasheh që Këshilli Prokurorial të ketë përbërje prej shtatë anëtarësh, nga 13 sa kishte më parë. Në këtë kuadër, prokurorët e prokurorive themelore kishin zgjedhur znj. Elsa Bajrami si përfaqësuese të tyre në KPK, me mandat që duhej të niste nga 1 janari i këtij viti.
Megjithatë, IKD vlerëson se realiteti ka dëshmuar të kundërtën, pasi U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon, sipas tyre, me një qasje të vjetër të qeverisjes së KPK-së, duke përdorur interpretime të pabazuara ligjore për të zvarritur funksionalizimin e Këshillit dhe për të ruajtur një mendësi korporatiste brenda sistemit prokurorial.
Instituti thekson se interpretimi i Agron Qalajt, sipas të cilit propozimi për një anëtar të KPK-së nuk ka marrë votat e mjaftueshme për miratim, është në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-249. Sipas IKD-së, dispozitat kalimtare të ligjit nuk janë më të aplikueshme, ndërsa neni 13 përcakton qartë se kuorumi formohet me pesë anëtarë dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të Këshillit, shkruan lajmi.net.
IKD sqaron se në rastin konkret, në mbledhje kanë qenë të pranishëm pesë anëtarë të KPK-së, nga të cilët tre kanë votuar pro dhe dy kundër, çka sipas ligjit përbën shumicë të mjaftueshme për miratimin e propozimit.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, ndërhyrje të tilla në procedurat e vendimmarrjes përbëjnë tentativë për të sabotuar reformën në KPK përmes shkeljeve të hapura ligjore, ndërsa përgjegjësia për këtë situatë i takon drejtpërdrejt Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërkaq IKD i ka bërë thirrje Agron Qalajt që të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore dhe të konstatojë pa vonesa certifikimin e rezultatit zgjedhor të 1 nëntorit 2025, ashtu siç është votuar në mbledhjen e fundit, duke kontribuar në funksionalizimin e Këshillit Prokurorial dhe në tranzicionin e rregullt drejt Kryesuesit të ardhshëm të KPK-së. /Lajmi.net/