Osmani me të dërguarin e BE-së: Procesi i dialogut të jetë i përqëndruar në njohje reciproke, suksesi varet nga trajtimi i barabartë i palëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim Përfaqësuesin ePosaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Pas këtij takimi, Zyra e Presidentes ka thënë se aty u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situatën e sigurisë, raportet me BE-në dhe të ardhmen e dialogut me Serbinë. “Në…

Lajme

14/01/2026 12:23

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim Përfaqësuesin ePosaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Pas këtij takimi, Zyra e Presidentes ka thënë se aty u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situatën e sigurisë, raportet me BE-në dhe të ardhmen e dialogut me Serbinë.

“Në takim, Presidentja Osmani, theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Presidentja Osmani tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”, thuhet në njoftimin e ZPRK.

Në këtë komunikatë, thuhet se Osmani e ka informuar Sorensenin për zgjedhjet parlamentare dhe lokale në vend, që ka thënë se janë zhvilluar suksesshëm në mënyrë demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

“Në takim u diskutuan gjithashtu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Presidentja Osmani përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së. Presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend. Presidentja theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Sorensen sot ka takuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Kjo është vizita e parë e punës për Sorensen në vitin 2026. /Lajmi.net/