Deklarata skandaloze që barazon dhunën seksuale të serbëve gjatë luftës me shqiptarë, reagon QKMRT: Minon peshën e krimeve të kryera
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka reaguar pas një deklarate dhënë në emisionin televiziv “Zanat”, ku një gazetare tha se “gratë shqiptare atë që e kanë pësuar prej serbëve, e kanë pësuar para lufte prej shqiptarëve”. Në lidhje me këtë deklaratë, QKRMT është shprehur e shqetësuar, dhe ka thënë se përmbajnë…
Lajme
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka reaguar pas një deklarate dhënë në emisionin televiziv “Zanat”, ku një gazetare tha se “gratë shqiptare atë që e kanë pësuar prej serbëve, e kanë pësuar para lufte prej shqiptarëve”.
Në lidhje me këtë deklaratë, QKRMT është shprehur e shqetësuar, dhe ka thënë se përmbajnë krahasime të papërshtatshme dhe të dëmshme në lidhje me dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Dëshirojmë të rikujtojmë qartë dhe pa asnjë dyshim se dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë ishte krim lufte, i organizuar dhe sistematik, i ushtruar si mjet terrori dhe shkatërrimi ndaj civilëve. Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë realitet përmes krahasimeve të papërgjegjshme ose përgjithësuese, minon peshën e krimeve të kryera dhe cenon rëndë dinjitetin e të mbijetuarve”, thuhet në reagim.
Nga QKMRT kanë thënë se deklaratat e tilla përbëjnë një formë të dhunës së dytë ndaj të mbijetuarve, që edhe sot përballen me pasoja të rënda psikologjike, sociale dhe institucionale, ndërkohë që kërkojnë drejtësi dhe njohje.
“QKRMT u bën thirrje mediave, opinionistëve dhe krijuesve të përmbajtjes publike që temat që lidhen me dhunën seksuale gjatë luftës t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë etike, përgjegjësi profesionale dhe respekt ndaj viktimave. Roli i medias duhet të jetë informimi i drejtë dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor, jo riprodhimi i narrativave që dëmtojnë kujtesën kolektive dhe normalizojnë dhunën. Në emër të së drejtës, kujtesës dhe dinjitetit njerëzor, QKRMT do të vazhdojë të qëndrojë përkrah të mbijetuarve dhe të kërkojë drejtësi dhe respekt për çdo viktimë të dhunës seksuale gjatë luftës”, thuhet mes tjerash në reagim. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: