Seanca gjyqësore ndaj ministres Rozeta Hajdari vazhdon e mbyllur për publikun
Seanca gjyqësore ndaj ministres në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, e cila po mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbyllur për publikun. Të pandehurit janë paraqitur para trupit gjykues në kuadër të rastit të njohur si “Rezervat shtetërore”, ndërsa vendimi për mbylljen e seancës për publikun…
Lajme
Seanca gjyqësore ndaj ministres në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, e cila po mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbyllur për publikun.
Të pandehurit janë paraqitur para trupit gjykues në kuadër të rastit të njohur si “Rezervat shtetërore”, ndërsa vendimi për mbylljen e seancës për publikun është marrë me arsyetimin e ruajtjes së informatave sensitive që lidhen me çështjen.
Avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar që të mos vazhdohet seanca pasi që thanë se në dosjen e Prokurorisë ka dokumente të klasifikuara. Avokatët kanë kërkuar që, para se të vazhdojë seanca, të nisë procesi i deklasifikimit të dokumenteve, ashtu që ata të mos vihen para përgjegjësisë penale.
Aktakuza ndaj Hajdarit ishte ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, që e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Sipas aktakuzës, Hajdari dhe dy zyrtarë të MINT-it i kishin shkaktuar dëm prej rreth 3 milionë eurove buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022, kur dyshohet se kishin blerë një sasi vaji dhe gruri jashtë vendit, por që s’kishin mbërritur kurrë në Kosovë.
Kjo seancë ka për qëllim shqyrtimin e aktakuzës dhe deklarimin e të pandehurve lidhur me fajësinë ose pafajësinë e tyre, si dhe trajtimin e çështjeve procedurale që mund të parashtrohen nga palët.
Ndërkohë seanca e 10 dhjetorit kishte dështuar, për shkak të mungesës së Hajdarit./Lajmi.net/
