“Shtëpia nuk është se ka qenë në atë gjendje”- Kushte të rënda jetese dhe kequshqyerje, nëna e 3 fëmijëve në Durrës mohon akuzat

Nëna e tre fëmijëve, e cila ishte denoncuar nga ish-vjehrra për mbajtjen e fëmijëve në kushte të rënda higjieno-sanitare dhe kequshqyerje, ka mohuar publikisht pretendimet. Në një deklaratë për mediat nga dyert e spitalit ku po qëndron me fëmijët, ajo shpjegoi se pamjet e publikuara në media nuk pasqyrojnë gjendjen reale të shtëpisë dhe se…

Lajme

12/01/2026 12:42

Nëna e tre fëmijëve, e cila ishte denoncuar nga ish-vjehrra për mbajtjen e fëmijëve në kushte të rënda higjieno-sanitare dhe kequshqyerje, ka mohuar publikisht pretendimet.

Në një deklaratë për mediat nga dyert e spitalit ku po qëndron me fëmijët, ajo shpjegoi se pamjet e publikuara në media nuk pasqyrojnë gjendjen reale të shtëpisë dhe se fëmijët e saj nuk janë rritur në kushtet e paraqitura.

“Shtëpia nuk është se ka qenë në atë gjendje që është transmetuar. Që është dikush tjetër me më hedhur mua poshtë për atë gjë jam e bindur. Ajo ka hyrë brenda se fëmijët e mi nuk janë rritur kurrë me idenë… Domethënë që ka një baba jo të mirë apo ka një gjyshe jo të mirë, thjesht vetë me dashurinë që u kam thënë; po e ke një babë e ke një gjyshe”, tha ajo.

Për problemet me shkollën, nëna tha se fëmijët kanë qenë sëmurë dhe kanë dorëzuar raport mjekësor.

“Fëmijët kanë qenë në shkollë, thjesht kanë qenë sëmurë. E kanë çuar një raport mjekësor te shkolla. Te shkolla është çuar raporti që fëmijët janë sëmurë. Kanë qenë dy javë pushimet e shkollës. Shkolla ka filluar ditën e hënë, po ditën e martë ka ndodhur përmbytja”, u shpreh ajo.

33-vjeçarja pohoi se nuk ka pasur mundësi të ndihmohet nga familja e saj për shkak të situatës ekonomike dhe se për momentin kujdeset vetë për fëmijët me të ardhura nga puna në një lokal në Durrës.

“Prindërit dhe familja ime ndodhen jashtë jashtë shtetit. Nuk kam pasur mundësi. Nuk është se jemi në një gjendje shumë të mirë ekonomike. Punoj te një lokal këtu te rruga e muzeut në Durrës”,  tregon ajo.

E pyetur në lidhje me kontaktet me ish-bashkëshortin dhe gjyshen e fëmijëve, ajo deklaroi se nuk ka pasur marrëdhënie të vazhdueshme, ndërsa ish-bashkëshorti ka nisur së fundmi të ofrojë ndihmë financiare.

“Po që momentin që ka dalë nga burgu, ka nisur këto muajt e fundit nisi për fëmijët 180 mijë lekë (të vjetra). Me 180 mijë lekë çdo bëj unë në qoftë se unë do rri në shtëpi 24 orë me fëmijët? Po si 300 mijë lekë e kam në qiranë”, u shpreh ajo.

Ajo mohoi çdo akuzë për keqtrajtim dhe theksoi se do të kujdeset për fëmijët e saj sipas mundësive, duke theksuar vështirësitë e jetesës në pallat pa ujë. “I gjithë pallati im është pa ujë”.

Ndërkohë një grup teknik ndërsektorial është mbledhur në Durrës për rastin e tre fëmijëve që janë denoncuar nga gjyshja e tyre që mbaheshin në kushte mjaft të rënda higjieno-sanitare, por edhe kequshqyerje nga nëna e tyre e divorcuar.

YouTube player