Gjykata e vendos: VV e shkeli kushtetutën me 5 dhjetor 2024, shfuqizohen 12 ligje të miratuara në Kuvend
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur jokushtetuese dhe ka shfuqizuar 12 ligje të miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024, pas kërkesave të paraqitura nga deputetë të Grupit Parlamentar të PDK-së. Me pesë vota për dhe dy kundër, Gjykata konstatoi se procedurat e miratimit të këtyre ligjeve nuk ishin në përputhje me Kushtetutën…
Lajme
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur jokushtetuese dhe ka shfuqizuar 12 ligje të miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024, pas kërkesave të paraqitura nga deputetë të Grupit Parlamentar të PDK-së.
Me pesë vota për dhe dy kundër, Gjykata konstatoi se procedurat e miratimit të këtyre ligjeve nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke shkelur nenet që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, ushtrimin e funksionit të deputetit, rregulloren e punës dhe funksionimin e komisioneve parlamentare, transmeton lajmi.net.
Ligjet e shfuqizuara përfshijnë, ndër të tjera, Ligjin për Shërbimet e Pagesave, Ligjin kundër dukurive negative në sport, Ligjin për provimin e maturës shtetërore, Ligjin për Banim Social dhe të Përballueshëm, Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Ligjin për Prokurorinë Speciale, Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, si dhe disa ligje që rregullojnë inspektorate qendrore dhe menaxhimin e resurseve ujore.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se tre ligje – ai për Bankat, Ligji për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Ligji për Gjykatën Administrative – janë miratuar në përputhje me Kushtetutën dhe mbeten në fuqi.
Ky është vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në përputhje me nenet 113.5 dhe 116.2 të Kushtetutës, nenet 20, 27 dhe 42 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe rregullat 48 (1) (a) dhe 72 të Rregullores së punës, më 12 nëntor 2025 ka marrë këtë vendim:
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
I. Shpallet njëzëri kërkesa e pranueshme.
II. Me pesë (5) vota për dhe dy (2) kundër, Gjykata ka konstatuar se vendimet e Kuvendit të datës 5 dhjetor 2024, përmes të cilave janë miratuar ligjet në vijim, nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës:
-
Ligji Nr. 08/L-328 për Shërbimet e Pagesave
-
Ligji Nr. 08/L-326 kundër dukurive negative në sport
-
Ligji Nr. 08/L-333 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit
-
Ligji Nr. 08/L-300 për provimin e maturës shtetërore
-
Ligji Nr. 08/L-315 për Banim Social dhe të Përballueshëm
-
Ligji Nr. 08/L-321 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim
-
Ligji Nr. 08/L-320 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
-
Ligji Nr. 08/L-323 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale
-
Ligji Nr. 08/L-325 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore
-
Ligji Nr. 08/L-324 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore
-
Ligji Nr. 08/L-330 për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore
-
Ligji Nr. 08/L-334 për Lojërat Mesdhetare
III. Gjykata konstatoi njëzëri se këto ligje janë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe mbesin në fuqi:
-
Ligji Nr. 08/L-304 për Bankat
-
Ligji Nr. 07/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut
-
Ligji Nr. 08/L-291 për Gjykatën Administrative
IV. Me pesë (5) vota për dhe dy (2) kundër, Gjykata shfuqizon vendimet e Kuvendit për miratimin e 12 ligjeve të shpallura jokushtetuese./lajmi.net/