Kryeprokurori i Prizrenit jep detaje: U arrestuan 39 persona në gjithë territorin e Kosovës – bllokuam mbi 1 milion e 300 mijë euro

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka mbajtur një konferencë për media. Në këtë konferencë ai është deklaruar në lidhje me aksionin e zhvilluar sot e që kishte të bënte me keqpërdorimet që kishin bërë ish-drejtuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Bashkë me zyrtarë të tjerë nga Prokuroria e Policia e Kosovës në…

Lajme

08/01/2026 14:16

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka mbajtur një konferencë për media.

Në këtë konferencë ai është deklaruar në lidhje me aksionin e zhvilluar sot e që kishte të bënte me keqpërdorimet që kishin bërë ish-drejtuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Bashkë me zyrtarë të tjerë nga Prokuroria e Policia e Kosovës në konferencë u bë e ditur se aksionit i kanë paraprirë veprimet hetimore të shumta, nga marsi i vitit 2025 kur Prokurori tha se janë ngarkuar me këtë rast, transmeton lajmi.net.

Ai deklaroi se si Kryeprokuror nxori vendim t’i angazhojë dy prokurorë për të punuar intensivisht në këtë çështje, e së bashku me ta u angazhua edhe Drejtori e Krimeve Ekonomike në Prishtinë.

“Po flasim për një rast ku sot kemi marrë urdhëresat e gjykatës për bastisjen e shtëpive dhe lokacioneve të 47-të personave, në mesin e tyre një person juridik. Fjala është për keqpërdorimet që janë bërë në BKS, cak i hetimeve janë ish-drejtori ekzekutiv dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave të BKS-ë, të cilët duke keqpërdorur autorizimet e besuara nga BKS u kanë mundësuar personave të ndryshëm përmes personave të ndryshëm dhe vetevetes të bartin transaksione të ndryshme e kanë arritur përfitime të mëdha për vete,  e kanë dëmtuar BKS-së. Kanë përpiluar edhe dokumente false, e ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur si të mirëqena duke i shkaktuar dëme prej 1 milion e 43 mijë euro dëme Byrosë.Kemi arritur që të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësorë, kinse si përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar më 2022-2023. Po ashtu kanë aplikuar edhe 141 transaksione tjera tek presona të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm e kanë bartur shuma , më e larta ka qenë 68 mijë euro të barta në transaksione”, deklaro Prokurori Kryeziu, raporton lajmi.net.

Ai tha se sot target kanë qenë 46 persona fizik, e janë arrestuar 39 persona ku Prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim.

“Aksioni i sotëm që ka përfshirë gjithë territorin e Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Klinë, Rahovec, Obiliq, Gjilan e deri në Dragash. S’ka pasur regjion ku s’ka pasur bastisje, kontrolle e arrestime në lidhje me këto keqpërdorime. Kemi sekuestruar të holla në vlerë 23 mijë e 700 euro, ari, aksesorë, pajisje elektronike e ora luksoze.Kemi arritur që t’i bllokojmë të hollat në vlerë mbi 1 milion e 300 mijë e 886 euro.Ky pra është bilanci. Kemi qenë në teren 7 prokurorë bashkë me mua 8 dhe kemi pasur njësi policore me rreth 400 policë”,përfundoi Kryeprokurori./Lajmi.net/