Akuza për ndikim te votuesit dhe keqorganizim në qendrat e votimit në Shtutgart
Gëzim Avdimetaj nga Konsulata e Kosovës në Shtutgart, kryevezhgues i PDK-së atje, ka raportuar për probleme serioze gjatë procesit të vëzhgimit në disa qendra votimi. Sipas tij, ka pasur mungesë të kartelave identifikuese për vëzhguesit dhe keqorganizim nga institucionet përgjegjëse. “Kur kemi filluar vëzhgimin, vëzhguesit nuk kanë pasur bexha të asnjë partie. Kur e pyeta…
Lajme
Gëzim Avdimetaj nga Konsulata e Kosovës në Shtutgart, kryevezhgues i PDK-së atje, ka raportuar për probleme serioze gjatë procesit të vëzhgimit në disa qendra votimi.
Sipas tij, ka pasur mungesë të kartelave identifikuese për vëzhguesit dhe keqorganizim nga institucionet përgjegjëse.
“Kur kemi filluar vëzhgimin, vëzhguesit nuk kanë pasur bexha të asnjë partie. Kur e pyeta pse, më thanë se nuk i kanë dërguar. Për më tepër, disa nga vëzhguesit që na u dhanë ishin operatorë të Ministrisë së Jashtme, jo të KQZ-së. Sot kuptova se ka pasur tentime të shumta për t’i dërguar votues në restorante, që është krejtësisht e papranueshme”, tha Avdimetaj për klankosova.
Derisa, shtoi se komisionerët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në këmbë duke u treguar se çfarë të bëjnë votuesit.
“Këtu është një qendër e vogle krimit që bëhet me aminin e KQZ-së, këto nuk janë zgjedhje janë një turp. Nuk funksionon asgjë. Këtu i organizon MPJ, komisionari i VV-së merte njerëzve letërnjoftimet komunikonte me ta. I kishte punëtorët e MPJ-së për ta mbështet. Kam parë komisionar të LDK-së, që nuk ka luajtur nga vendi dhe një kryekomisioner të PDK-së që nuk ka lëviz nga vendi .Ai i VV-së kurrë s’ka ndejt në vendin e vet, duke iu treguar se çfarë me bë votuesve”, tha Avdimetaj.
Avdimetaj tha se këto mangësi e bëjnë të vështirë garantimin e transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor.
“Më e keqja është se në orën 7:00 i mbyllim kurtitë, dhe i lëjmë në mëyshirën e fatit. Nuk ka asnjë njeri kompetent që i pranon, që i mer dhe i nënshkruan që këto kuti janë në duar të sigurta. Ne i lëmë veç hajt, si me i qitë me i lënë në rrugë”, përfundoi ai.
Një ankesë është paraqitur nga vëzhguesi i PDK-së, Alban Zeneli, i cili ka raportuar parregullsi në qendrën e votimit DE06/03.
Sipas tij, kryesuesi i kësaj dhome, Njazi Pllana, ka tentuar të ndikojë tek votuesit duke i orientuar gjatë hyrjes dhe duke u dhënë udhëzime për mënyrën e votimit, si dhe duke i drejtuar vazhdimisht drejt subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje.
Zeneli ka bërë të ditur se për këtë rast është njoftuar menaxheri i qendrës së votimit, megjithatë nuk është ndërmarrë asnjë masë apo zgjidhje.
“Pllana mundohet të ketë ndikim tek votuesit, duke i drejtuar te hyrja si dhe duke u munduar t’i informojë për formën e votimit dhe çdo here duke i drejtuar tek subjekti politik i VV. Për një gjë të tillë është njoftuar menagjeri i qendrës së votimit”, shkruhet në ankesë.
Ndërkaq, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka ardhur asnjë përgjigje lidhur me këto kritika.