10 euro mjaftuan për të rrezikuar të dhënat e qytetarëve – domaini “rks-gov.org” mund të blehej lirë dhe të përdorej për mashtrim

Një rast i fundit ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë digjitale të institucioneve shtetërore, pasi domaini rks-gov.org ka qenë i lirë për regjistrim dhe është blerë për vetëm 10 euro. Sipas reagimeve, kjo situatë paraqiste rrezik të madh për keqpërdorim dhe mashtrime online ndaj qytetarëve, transmeton lajmi.net. Në një postim në rrjete sociale, kandidati i…

Lajme

26/12/2025 09:40

Një rast i fundit ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë digjitale të institucioneve shtetërore, pasi domaini rks-gov.org ka qenë i lirë për regjistrim dhe është blerë për vetëm 10 euro.

Sipas reagimeve, kjo situatë paraqiste rrezik të madh për keqpërdorim dhe mashtrime online ndaj qytetarëve, transmeton lajmi.net.

Në një postim në rrjete sociale, kandidati i LDK-së për deputet, Ermal Sadiku, ka theksuar se ky domain “duket më zyrtar se ai aktual (.net)” dhe se çdo person me qëllime të këqija mund ta kishte shfrytëzuar për të krijuar faqe identike me ato shtetërore.

Ai paralajmëron se përmes një skeme të tillë mund të mblidheshin të dhëna të ndjeshme të qytetarëve, përfshirë informacione personale, kontakte dhe madje edhe kredenciale hyrjeje.

Sipas tij, ky nuk është një skenar teorik, por mënyra se si ndodhin sulmet phishing në mbarë botën.

“Një shtet serioz blen dhe kontrollon të gjitha variantet kritike të domain-eve dhe nuk e lë sigurinë digjitale në fat dhe rastësi”, ka shkruar Sadiku.

Ai ka vlerësuar veprimin e një inxhinieri nga Gjilani, i cili e ka blerë domainin dhe e ka ridrejtuar te faqja zyrtare, por ka theksuar se funksionimi i shtetit nuk mund të mbështetet në iniciativa individuale. “Siguria kibernetike nuk është luks, por parakusht i shtetit modern”, ka shtuar ai, duke bërë thirrje për standarde, përgjegjësi dhe mbrojtje më të madhe të identitetit digjital të qytetarëve./lajmi.net/