OSBE: Bashkëpunimi ndër-komunal në Kosovë mbetet i pashfrytëzuar pavarësisht kornizës ligjore
Një raport i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë vë në pah se bashkëpunimi ndër-komunal (BNK) në vend vazhdon të mos shfrytëzohet në masën e duhur, ndonëse ekziston një kornizë ligjore e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OECD-së. Sipas raportit, bashkëpunimi ndër-komunal nënkupton marrëveshje formale ose joformale ndërmjet komunave…
Lajme
Një raport i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë vë në pah se bashkëpunimi ndër-komunal (BNK) në vend vazhdon të mos shfrytëzohet në masën e duhur, ndonëse ekziston një kornizë ligjore e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OECD-së.
Sipas raportit, bashkëpunimi ndër-komunal nënkupton marrëveshje formale ose joformale ndërmjet komunave me qëllim arritjen e objektivave të përbashkëta, si përmirësimi i shërbimeve publike, tërheqja e fondeve të reja dhe forcimi i lidhjeve mes komuniteteve. Megjithatë, zbatimi praktik i këtyre mekanizmave mbetet i kufizuar.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka theksuar se pavarësisht përfitimeve të mundshme, bashkëpunimi ndër-komunal shpeshherë mbetet joformal, i pastrukturuar ose nuk realizohet fare.
“Si pasojë, humbasin mundësi të rëndësishme për shërbime më cilësore, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar ndërmjet komuniteteve”, ka deklaruar McGurk.
Raporti identifikon disa hapa kyç për përmirësimin e bashkëpunimit ndër-komunal, përfshirë thjeshtimin dhe modernizimin e kornizës ligjore për të lehtësuar krijimin e marrëveshjeve ndër-komunale, krijimin e stimujve politikë dhe një fondi të posaçëm për këtë formë bashkëpunimi, si dhe forcimin e mbështetjes institucionale.
Po ashtu, rekomandohet rritja e kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në këshillim, monitorim dhe promovim të marrëveshjeve ndër-komunale, si dhe nxitja e bashkëpunimit në fusha gjithëpërfshirëse, përfshirë reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore, shërbimet për të rinjtë dhe iniciativat mes komunave me përbërje të ndryshme komunitare.
Raporti përfundon se, me zbatimin e reformave dhe investimeve të nevojshme, bashkëpunimi ndër-komunal mund të shndërrohet nga një praktikë margjinale në një instrument kyç për përmirësimin e performancës komunale dhe forcimin e qeverisjes lokale.
Raporti i plotë mund të gjendet këtu. /Lajmi.net/