AGK-ja mirëpret fitoren e gazetares Blerta Foniqi pas degradimit nga menaxhmenti i RTK-së

Inspektorati i Punës e ka miratuar ankesën e gazetares Blerta Foniqi Kabashi, duke vendosur në favor të saj dhe kundër vendimit të menaxhmentit që e degradonte atë nga pozita e redaktores të edicionit të Lajmeve Qendrore në redaktore të programit. Vendimi ishte marrë nga U.D i kryeredaktorit, Blerim Haxhija, për të cilin Inspektorati konstaton se…

Lajme

23/12/2025 18:48

Inspektorati i Punës e ka miratuar ankesën e gazetares Blerta Foniqi Kabashi, duke vendosur në favor të saj dhe kundër vendimit të menaxhmentit që e degradonte atë nga pozita e redaktores të edicionit të Lajmeve Qendrore në redaktore të programit.

Vendimi ishte marrë nga U.D i kryeredaktorit, Blerim Haxhija, për të cilin Inspektorati konstaton se nuk kishte mandat për të marrë një vendim të tillë pasi që atij i kishte skaduar mandati më 15 shtator 2025.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kujton se Foniqi Kabashit i ishte shqiptuar masë disiplinore “vërejtje” për shkak të punës si redaktore në Edicionin Qendror të lajmeve.

Ndërkaq, Inspektorati e ka urdhëruar RTK-në që në afat prej tri ditësh ta kthejë Foniqin në postin e përshkruar me kontratë.

AGK-ja e ka mirëpritur këtë vendim të Inspektoratit, “i cili vërteton presionin e Menaxhmentit ndaj gazetarëve dhe redaktorëve që e kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale”.

“Për AGK-në është e papranueshme ndërhyrja e vazhdueshme politike e Qeverisë së Kosovës nëpërmjet partisë politike, Vetëvendosje në pavarësinë editoriale të Transmetuesit Publik, RTK”, u tha në njoftimin e AGK-së.