Hetimi disa mujor i Policisë së Kosovës me shtetin e Suedisë kulmon me arrestimin e një dilleri të drogës në Prizren

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Suedisë nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme të trafikimit të narkotikëve. Sipas raportit policor, arrestimi është realizuar më 18 dhjetor 2025, rreth orës 16:00, në rrugën “Petrit Bytyqi” në Prizren, pas një hetimi që ka zgjatur disa muaj, transmeton lajmi.net. Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria…

Lajme

19/12/2025 09:25

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Suedisë nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme të trafikimit të narkotikëve.

Sipas raportit policor, arrestimi është realizuar më 18 dhjetor 2025, rreth orës 16:00, në rrugën “Petrit Bytyqi” në Prizren, pas një hetimi që ka zgjatur disa muaj, transmeton lajmi.net.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet suedeze.

Gjatë aksionit, policia ka siguruar dëshmi materiale që lidhen me veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.

Nga i dyshuari janë konfiskuar para të gatshme, një veturë si dhe dokumente të ndryshme që pritet të shërbejnë si prova në procedurën hetimore.

Me urdhër të organeve kompetente, i dyshuari është ndaluar, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë në koordinim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar për parandalimin e këtyre veprave penale./lajmi.net/