“U kapën në flagrancë duke shkëmbyer 9900 euro” – Policia del me detaje mbi aksionin e mbrëmshëm me AKI-në ku u arrestuan 7 persona, në mesin e tyre edhe ish-ministri Ismaili

Policia e Kosovës ka bërë publike informacionet zyrtare lidhur me operacionin antikorrupsion të zhvilluar një ditë më parë, duke zbuluar detaje shtesë për një rrjet të dyshuar për veprimtari të paligjshme financiare dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka ndërhyrë në…

Lajme

19/12/2025 09:16

Policia e Kosovës ka bërë publike informacionet zyrtare lidhur me operacionin antikorrupsion të zhvilluar një ditë më parë, duke zbuluar detaje shtesë për një rrjet të dyshuar për veprimtari të paligjshme financiare dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka ndërhyrë në momentin e shkëmbimit të parave, ku tre persona janë kapur në flagrancë me 9 mijë e 900 euro, shumë që dyshohet se ishte pjesë e një marrëveshjeje për ryshfet.

Pas ndërhyrjes fillestare, autoritetet kanë realizuar bastisje në pesë lokacione të ndryshme, ku janë konfiskuar mjete financiare, automjete, telefona mobilë, pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, si dhe armë zjarri me municion.

Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar gjithsej shtatë persona, gjashtë burra dhe një grua, të gjithë shtetas të Kosovës. Të ndaluarit janë marrë në pyetje dhe, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në paraburgim.

Autoritetet dyshojnë se të arrestuarit janë përfshirë në disa vepra penale, përfshirë korrupsionin, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, mashtrimin, ushtrimin e ndikimit dhe posedimin e paautorizuar të armëve.

Raporti i plotë nga Policia e Kosovës mbi rastin: 

“KEQPËRDORIM I POZITES APO AUTORITETIT ZYRTAR, MARRJA E RYSHFETIT, DHËNIE E RYSHFETIT, USHTRIM I NDIKIMIT, DEKLARIM I RREME, MASHTRIM

Prishtinë 18.12.2025 17:40. Policia e Kosovës, respektivisht DHKEK, pas hetimeve të zhvilluara me autorizim të PSRK-së, ka kapur në flagrancë tre të dyshuar duke shkëmbyer para në vlerë të 9900€ si pjesë e marrëveshjes në mes tyre për ndarje të ryshfetit. Në koordinim me prokurorinë, njësitet policore kanë vazhduar me kontroll në pesë lokacione, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim; para të gatshme, tri vetura, gjashtë telefona mobil, një llaptop, etj,.  si dhe në një nga lokacionet janë gjetur armë dhe municion. Lidhur me rastin janë arrestuar shtatë të dyshuar ( gjashtë meshkuj dhe një femër kosovare ) dhe të njëjtit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.”

Çka tha Prokuroria Speciale për aksionin?

Prokuroria Speciale ka sqaruar se ky aksion është rezultat i hetimeve afatgjata, gjatë të cilave janë përdorur masa të posaçme hetimore. Gjatë kontrolleve janë gjetur rreth 20 mijë euro para të gatshme, bizhuteri, pajisje elektronike dhe tri vetura.

Në mesin e të dyshuarve ndodhen edhe figura të rëndësishme institucionale, përfshirë kryetarin e Degës së Gjykatës së Graçanicës, përfaqësues nga avokatura, ekspertë gjyqësorë, zyrtarë të Administratës Tatimore, përfaqësues të Departamentit të Shpronësimeve, si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Ismaili.

Grupi dyshohet se ka vepruar në mënyrë të organizuar, duke manipuluar procese gjyqësore që lidhen me kompensime të kundërligjshme për shpronësime të realizuara ndërmjet viteve 2011 dhe 2015, me synim përfitimin e fondeve publike.

Të ndaluarit do të qëndrojnë në mbajtje për 48 orë, ndërsa Prokuroria Speciale ka konfirmuar se hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim.

Institucionet e rendit e kanë vlerësuar këtë ndërhyrje si një hap domethënës në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin në Kosovë./lajmi.net/