Rama nga Haga: Farsë e nisur nga kukullat ruse të Dumës së Putinit kundër UÇK-së dhe Hashim Thaçit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër pas vizitës së tij te ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e quajtur procesin ndaj tij “teatër të turpit të drejtësisë ndërkombëtare” dhe një farsë të lidhur me ndikime ruse. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama shkruan se akuza ndaj Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare…
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër pas vizitës së tij te ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e quajtur procesin ndaj tij “teatër të turpit të drejtësisë ndërkombëtare” dhe një farsë të lidhur me ndikime ruse.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama shkruan se akuza ndaj Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës buron nga një proces i nisur për trafik organesh nga, siç shprehet ai, “kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg”, dhe i vazhduar më pas në Hagë me absurditete dhe dëshmitarë groteskë.
Postimi i plotë:
Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë
E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin
me të qeshur Hashimi e quan “institut”
Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë
Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor./Lajmi.net/