Rast i rëndë në Ferizaj: I mituri 13-vjeçar dyshohet se është abuzuar nga një adoleshent
Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur të hënën në qytetin e Ferizajt, ku një i mitur dyshohet se është dhunuar dhe abuzuar. Autoritetet e drejtësisë dhe institucionet e zbatimit të ligjit janë vënë në veprim për të hetuar këtë ngjarje. Sipas raportimit në media bëhet fjalë për një 13-vjeçar i cili ishte kontaktuar…
Lajme
Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur të hënën në qytetin e Ferizajt, ku një i mitur dyshohet se është dhunuar dhe abuzuar. Autoritetet e drejtësisë dhe institucionet e zbatimit të ligjit janë vënë në veprim për të hetuar këtë ngjarje.
Sipas raportimit në media bëhet fjalë për një 13-vjeçar i cili ishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale nga një 17-vjeçar. I dyshuari aktualisht është në kërkim policor.
Lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila ka konfirmuar se rasti ndodhet ende në fazën preliminare. Sipas zëdhënëses së Prokurorisë, Kaltrina Shala, po grumbullohen informacione dhe prova që do të shërbejnë për procedurën e mëtejshme hetimore.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar informacionin në lidhje me këtë çështje. Aktualisht, rasti ndodhet në fazën preliminare, ku po mblidhen informacione dhe prova të ndryshme që do të përdoren në hetimet e mëtejshme. Kjo çështje penale i takon Procedurës për të Mitur, ndaj informatat në këtë fazë janë të konfidenciale dhe nuk mund të bëhen publike”, tha Shala.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se po bashkëpunon ngushtë me institucionet relevante dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithmonë duke respektuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, Policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘Dhunimi’. Aktualisht po punohet intensivisht për identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij. Prioritet i policisë është mbrojtja e viktimës dhe siguria e saj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Rastet që përfshijnë të mitur kërkojnë kujdes të veçantë dhe procedura të rrepta ligjore për të garantuar mbrojtjen e viktimës dhe konfidentalitetin e informacionit. Autoritetet kanë bërë thirrje që çdo person që ka njohuri për këtë rast të raportojë menjëherë, për të ndihmuar në hetimet që po zhvillohen.
Publiku pritet të jetë i informuar gradualisht ndërsa hetimet avancojnë dhe kur Prokuroria të ketë përgatitur të dhëna që mund të bëhen publike pa cenuar procedurat dhe mbrojtjen e viktimës. /Lajmi.net/