Peci e ngre lartë Osmanin, thotë se është Presidentja më e mirë e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zgjedhur Komunën e Mitrovicës që të shkoj dhe ta vizitoj, pasi kryetar është zgjedhur Faton Peci, nga Partia Guxo. Pas kësaj vizite, Peci dhe Osmani kanë mbajtur një konferencë për media, e ku Peci tha se kanë diskutuar për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës, dhe…

Lajme

15/12/2025 11:05

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zgjedhur Komunën e Mitrovicës që të shkoj dhe ta vizitoj, pasi kryetar është zgjedhur Faton Peci, nga Partia Guxo.

Pas kësaj vizite, Peci dhe Osmani kanë mbajtur një konferencë për media, e ku Peci tha se kanë diskutuar për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës, dhe për mbështetjen institucionale që i duhet këtij qyteti që nga Zyra e Presidencës e deri te Qeveria.

Për këtë mbështetje, Peci tha se kohëve të fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm.

“Mitrovica pas luftës, sikurse në fazën fillestare është trajtuar si problem vetëm i mitrovicasve, tashmë është mirë që e ka vëmendjen dhe mbështetjen e të parës së vendit, por njëkohësisht edhe të Qeverisë dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurtit”, ka thënë Peci.

Ai thuri lavdata të mëdha për të parën e shtetit, duke thënë se është Presidentja më e mirë e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.

“Kështu që, ne jemi me fat si Mitrovicë që gjatë këtij mandati e kemi pas një përfaqësim dinjitoz në politikën e jashtme duke filluar nga bashkëvendasja jonë. Prej se Kosova është shpall shtet i pavarur dhe sovran, ka pasur nderin dhe fatin ta kete presidenten më të mirë që ka pas Republika e Kosovës, e ne kishim këtë fat që ta kemi në zyrën e të parit të Komunës së Mitrovicës”, ka shtuar Peci.

Ai tha se me Osmanin kanë diskutuar për të gjitha temat që janë në interes publik për qytetin e Mitrovicës, duke filluar nga ambienti, arkeologjia, arsimi e shëndetësia.

Peci kritikoi pak qeverisjen e kaluar të Mitrovicës, pasi tha se ky qytet është më i bukuri për atë që i ka dhënë perëndia, por që nuk është demonstrim i gjendjes faktike në teren.

Peci është betuar si kryetar i Komunës së Mitrovicës më 12 dhjetor, pas fitores që korri në balotazhin e zgjedhjeve lokale më 9 nëntor, në garë me kandidatin për kryetar të PDK-së, Arian Tahirin. /Lajmi.net/