Shqipëri: Miratohet buxheti i 2026, i parashikuar 8.8 miliardë euro me 81 vota pro
Parlamenti ka miratuar buxhetin e vitit 2026 pas një muaji diskutimesh në komisionet parlamentare, me 81 vota pro dhe 16 kundër, në një seancë që u mbyll pas mesnatës së së premtes. Gjatë shqyrtimit u paraqitën dhjetëra amendime nga deputetët për rritje fondesh në projekte të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk mori miratimin e…
Lajme
Parlamenti ka miratuar buxhetin e vitit 2026 pas një muaji diskutimesh në komisionet parlamentare, me 81 vota pro dhe 16 kundër, në një seancë që u mbyll pas mesnatës së së premtes. Gjatë shqyrtimit u paraqitën dhjetëra amendime nga deputetët për rritje fondesh në projekte të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk mori miratimin e shumicës.
Ministrja e Ekonomisë deklaroi se amendimet e propozuara nga opozita, të cilat kapnin shifrën 278.9 miliardë lekë, tejkalonin 10% të PBB-së dhe do të cenonin objektivat e konsolidimit fiskal. Në buxhet u përfshinë vetëm kërkesat e institucioneve të miratuara më herët në komisione, ku 12 prej tyre përfitojnë 504.9 milionë lekë shtesë, kryesisht në sektorin e drejtësisë, shkruan euronews.al.
Në total, rreth 886.7 miliardë lekë, ose 8.8 miliardë euro, do të vihen në dispozicion për shërbimet shëndetësore, pagat, mbështetjen sociale, pensionet, arsimin, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë dhe sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.
Vitin e ardhshëm parashikohet të zbatohet formula e re e rritjes së pensioneve, e cila do të përfshijë bonuse mujore. Për këto bono janë planifikuar 100 milionë euro, ndërsa 16.5 milionë euro do të përdoren për indeksim. Buxheti parashikon gjithashtu rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë dhe indeksimin me 2.5% të pagave në administratën publike.
Investimet publike për vitin 2026 pritet të arrijnë në rreth 1.8 miliardë euro, nga 1.6 miliardë euro këtë vit. Ndërkohë, 13.5 miliardë lekë janë parashikuar për kompensimin e medikamenteve dhe 1.5 miliardë lekë për barnat onkologjike.
Të ardhurat buxhetore janë planifikuar të rriten në 8.2 miliardë euro nga 7.7 miliardë euro aktualisht, të ndikuara nga rritja ekonomike, turizmi dhe administrimi fiskal. Borxhi publik për vitin 2026 pritet të arrijë në 14.9 miliardë euro. Rritja ekonomike parashikohet të jetë 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi.
Ministria e Shëndetësisë mban buxhetin më të madh, me 82.2 miliardë lekë për të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor. Më tej renditet Ministria e Infrastrukturës me 77.2 miliardë lekë, prej të cilave mbi 35 miliardë lekë shkojnë për transportin rrugor. Ministria e Arsimit përfiton 64.8 miliardë lekë për sistemin arsimor, tekstet falas dhe transportin falas për nxënës e mësues. Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion 58.9 miliardë lekë, me një rritje prej gati 10 miliardë lekësh krahasuar me këtë vit. Ministria e Ekonomisë përfiton 41.7 miliardë lekë, ndërsa ajo e Brendshme 35.7 miliardë lekë.
Sektori i bujqësisë vijon të jetë i nënfinancuar, pasi Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në dispozicion 16.2 miliardë lekë, nga të cilat vetëm 7.6 miliardë lekë janë destinuar për skemat e mbështetjes për fermerët.