Zgjedhjet e 28 dhjetorit- Cilat pritet të jenë listat për deputetë të partive politike?

Një ditë para përfundimit të afatit për finalizimin e listave të kandidatëve për deputetë, partitë politike thonë se po përpiqen të krijojnë një listë konkurruese dhe gjithëpërfshirëse që reflekton diversitetin dhe përvojën brenda strukturave të tyre. Në Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, deklarojnë se janë afër finalizimit të listave,…

Lajme

06/12/2025 19:10

Një ditë para përfundimit të afatit për finalizimin e listave të kandidatëve për deputetë, partitë politike thonë se po përpiqen të krijojnë një listë konkurruese dhe gjithëpërfshirëse që reflekton diversitetin dhe përvojën brenda strukturave të tyre. Në Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, deklarojnë se janë afër finalizimit të listave, siç shtojnë duke kombinuar edhe emra të rinj me figurat e njohura politike.

Të njëjtat bëjnë të ditur se në listat e kandidatëve për deputetë do të jenë edhe deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë, e cila për shkak të krizës politike nuk mori asnjë vendim. Në anën tjetër, analistët politikë u bëjnë thirrje partive politike që në listat e tyre të kenë njerëz profesionistë dhe energji të reja.

Partitë politike deri tani veç kanë bërë publike disa nga emrat që do të jenë kandidatë për deputetë, por kanë kohë deri më datën 7 dhjetor për t’i dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.

Anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se 50 për qind e listës do të përbëhet nga propozimet që vijnë nga qendrat e partisë, kurse 50 për qind tjetër, do të caktohen nga kryesia dhe kryetari, Albin Kurti.

Ajo nuk tregon se si do të ndahet lista edhe me partnerët e koalicionit, Guxo, Alternativa dhe PShDK.

Ndërkaq,  Artan Behrami nga PDK,  thotë se do të kenë edhe emra të rinj në listën zgjedhore, krahas figurave eminente të partisë.

Kurse, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, thotë për KosovaPress, se janë duke kompletuar listën, e cila sipas saj, është rifreskuar, për dallim nga zgjedhjet e fundit. Ajo konfirmon se në listë do të jenë edhe ish-deputetët e legjislaturës së kaluar.

KosovaPress ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nisma-s, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur pyetjeve rreth listave të tyre zgjedhore.

Ndërsa analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress, se partitë politike duhet të sjellin energji të reja në listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, nëse në lista do të jenë të njëjtit njerëz, është e vështirë që skena politike të reformohet.

“Ajo që partitë duhet obligativisht të bëjnë është të sjellin resurse të reja njerëzore, profesionale. Profesionistë të rinj, djem dhe vajza të reja dhe të rifreskojnë edhe skenën politike. Nëse do të jenë të njëjtit njerëz që kanë qenë deri tani, s’ka shumë shpresë që skena politike mund të reformohet dhe të mund të ketë ndonjë ndryshim pozitiv. Prandaj, shpresa e vetme për një rezultat pozitiv edhe pas 28 dhjetorit është që partitë të bëjnë maksimumin në ndryshimin e imazhit të tyre. Po ashtu edhe fuqizimin e aspektit profesional sepse me këtë populizëm ekstrem nuk mund të ketë asnjë perspektivë pozitive”, thekson Muhaxhiri.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor.