Rusia është “gati” për luftë me Evropën
Bisedimet për paqe të mbajtura të martën mes ShBA-së dhe Rusisë, nuk sollën përparim, pasi presidenti rus Vladimir Putin, që përpara diskutimeve, dyfishoi kërcënimet ndaj Evropës duke thënë se Rusia është “gati” për luftë me kontinentin. I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner, kishin udhëtuar…
Bota
Bisedimet për paqe të mbajtura të martën mes ShBA-së dhe Rusisë, nuk sollën përparim, pasi presidenti rus Vladimir Putin, që përpara diskutimeve, dyfishoi kërcënimet ndaj Evropës duke thënë se Rusia është “gati” për luftë me kontinentin.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner, kishin udhëtuar drejt Moskës për të zhvilluar bisedime me Putinin dhe ndihmësit e tij më të afërt rreth një plani paqeje, të përpiluar me synimin për ta përfunduar luftën gati katërvjeçare në Ukrainë.
Bisedimet zgjatën pesë orë, tha për gazetarët ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov, pas diskutimeve, duke theksuar se takimi ishte fokusuar në një plan paqeje të hartuar nga ShBA-ja dhe se ishte “shumë i dobishëm, konstruktiv dhe shumë informues”, porse kishte ende punë për të bërë.
“Ramë dakord për disa pika … ndërsa të tjerat u kritikuan, dhe presidenti [Putin] nuk e fshehu qëndrimin tonë kritik, madje negativ, ndaj një sërë propozimesh. Por, gjëja më e rëndësishme është që patëm një diskutim shumë të dobishëm”, tha Ushakov, në komente të përkthyera nga NBC News.
Nuk është e qartë se cili plan paqeje iu paraqit rusëve, pasi një plan paraprak me 28 pika, i hartuar fshehurazi nga ShBA-ja dhe Rusia, iu paraqit Ukrainës disa javë më parë.
Kievi dhe aleatët e tij evropianë e ndryshuan me nxitim atë plan, duke e reduktuar në 19 propozime, me zyrtarët ukrainas që udhëtuan në Floridë fundjavën e kaluar për më shumë bisedime mbi këto propozime.
Rusia dhe Ukraina janë shumë larg njëra-tjetrës sa i përket elementeve kryesore të një marrëveshjeje kornizë për paqe, me Moskën që kërkon që Kievi të dorëzojë territorin pjesërisht të pushtuar në Lindje të vendit dhe me mospajtime për garancitë e sigurisë të mbështetura nga Perëndimi për Ukrainën.
Ndihmësi i Putinit, Ushakov, tha të martën se të dyja palët kishin diskutuar një plan me 27 pika dhe se kishin marrë më shumë dokumente nga pala amerikane, megjithëse ai nuk dha detaje për përmbajtjen e tyre. Ai shtoi se Rusia dhe ShBA-ja kishin rënë dakord të mos zbulonin hollësi të bisedimeve.
Bisedimet në Moskë erdhën pasi Putini nisi një fjalim të ashpër ndaj Evropës, duke thënë se propozimet alternative të paqes nga ana e saj ishin “absolutisht të papranueshme” për Rusinë dhe se udhëheqja e rajonit “nuk ka agjendë paqeje”.
“Ne nuk po shkojmë në luftë me Evropën; e kam thënë njëqind herë. Por, nëse Evropa papritur do të dojë të luftojë me ne dhe nis e para, jemi gati që tani”, tha Putini për gazetarët, përpara takimit me Witkoffin dhe Kushnerin.
Zyrtarët evropianë kanë shprehur shqetësim në javët e fundit për faktin që ata, dhe Ukraina, u përjashtuan nga bisedimet fillestare mes ShBA-së dhe Rusisë, të cilat çuan në një plan paraprak për paqe që shihej si shumë i favorshëm për Rusinë.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të hënën se “kjo javë mund të jetë vendimtare për diplomacinë. Është e qartë se Rusia nuk do paqe, dhe për këtë arsye ne duhet ta bëjmë Ukrainën sa më të fortë të jetë e mundur”,telegrafi.
Evropa do t’i ketë ndjekur me vëmendje bisedimet e së martës në Rusi. Ka shqetësime se Trumpi, i cili në raste të caktuara ka pasur marrëdhënie më të ngrohta me Putinin sesa me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, mund të mbështesë propozimet e paqes nga ana e Rusisë me qëllimin për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt.
Duke dashur të shfaqet optimist për mundësinë e paqes, Zelenskyy u tha të martën ligjvënësve irlandezë se Ukraina ishte “më afër paqes se kurrë më parë” dhe se kishte një “mundësi reale” për një marrëveshje pas bisedimeve me Uashingtonin.
Ekspertët e çështjeve gjeopolitike thonë se Kremlini është i gatshëm të zgjasë sa më shumë procesin e paqes, me Rusinë që pretendon se ka përparësi në fushëbetejë dhe mund të nxjerrë lëshime të mëdha nga Ukraina në procesin e paqes.
Michael Froman, president i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, tha se ishte në interesin e Putinit “ta mbajë procesin në vazhdim, që të ketë një proces të gjatë të angazhimit diplomatik”.
“Ai dëshiron të hapë një diskutim më të gjerë rreth riintegrimit të Rusisë me Perëndimin dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, marrëveshjeve tregtare me ShBA-në, dhe ta zvarritë këtë proces ndërkohë që vazhdon të bombardojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës dhe të bëjë përparim gradual në terren”, tha të martën ai për emisionin “Squawk Box” të CNBC-së.
Amos Hochstein, partner menaxhues i TWG Global dhe ish-këshilltar i lartë i presidentit në administratën Biden, u pajtua se Rusia me shumë gjasa do ta vonojë arritjen e një marrëveshjeje.
“Unë mendoj se është e vështirë të arrihet në një pikë marrëveshjeje ku një territor i madh duhet t’i jepet Rusisë nga ukrainasit, në këmbim të garancive të sigurisë që janë disi të paqarta dhe të dobëta, dhe kjo është e vështirë për t’u pranuar nga ukrainasit që kanë luftuar kaq shumë gjatë këtyre viteve”, ka thënë ai.
“Problemi është se ndoshta ukrainasit mund të bëjnë kompromise për disa prej këtyre çështjeve, por çdo lëshim që do të merrnin nga ShBA-ja në këtë marrëveshje, do të ishte i vështirë për t’u pranuar nga rusët [sepse] ata varen nga lufta, duan të fitojnë, por kanë edhe një ekonomi lufte”.
“Rusët nuk nguten për një marrëveshje këtu”, shtoi ai.